Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka përcjellë një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi për drejtësinë e re gjatë një trajnimi të organizuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë mbi përdorimin e provave digjitale në hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Duke iu drejtuar kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, si dhe gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve, diplomati amerikan theksoi se lufta e tyre e përditshme ka ndikim të drejtpërdrejtë si në ekonominë e Shqipërisë, ashtu edhe në sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Ambasadori Wendt vuri në dukje se kompanitë amerikane kanë interes të madh për të investuar në Shqipëri në sektorë si energjetika, infrastruktura, turizmi dhe teknologjia, por kjo kërkon garanci ligjore dhe konkurrencë të ndershme.
“Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht. Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike”, deklaroi Wendt.
Duke u ndalur te krimi i organizuar ndërkombëtar, ambasadori theksoi se rrjetet shqiptare që trafikojnë kokainë drejt Evropës furnizohen nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut, të cilat SHBA-ja i ka shpallur organizata terroriste, që helmojnë komunitetet amerikane.
Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë u heq karteleve paratë dhe pushtetin.
Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari offshore. Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave.
Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira cloud.
Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh; një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm.
Në përfundim të fjalës së tij, Wendt pati një apel të veçantë për secilën hallkë të sistemit të drejtësisë, hetuesit që ruajnë provat, prokurorët që lidhin adresat IP dhe portofolet kripto me persona realë, si dhe gjyqtarët, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit.
Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave.
Ky seminar ka për qëllim t’ju provojë se e kanë gabim. Ndiqni provat. Ndiqni paratë. Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji, kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush.
