
Presidenti Ilir Meta doli para mediave në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi për atë që ai e quajti “koordinim mafioz për kapjen e drejtësisë”. Meta tha se ka fakte të reja të cilat do t'i dorëzojë në Prokurori për të thelluar më tej hetimet, në vijim të kallëizmit që ai ka bërë në nëntor, për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Meta tha se për shkak të këtyre fakteve, Dvoranit duhet t’i ndërpritet detyra si drejtues i KED.
Kreu i shtetit tha se kreu i KED e ka vonuar qëllimisht procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të siguruar mandatin e dytë në krye të KED-së. "Jam para jush për t’u treguar sa larg shkon koordinimi mafioz për kapjen e drejtësisë. Ardian Dvorani keqinformon dhe fsheh informacione. Fakte të reja mbi veprimtarinë kriminale të Ardian Dvoranit", tha Meta.



