
Sot zhvillohet seanca e parë e Legjislaturës së XI të Kuvendit të Shqipërisë, që vjen pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 11 maj.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe shënon fillimin zyrtar të punës së parlamentit të ri për mandatin katërvjeçar.
Seancën e sotme do ta drejtojë deputeti socialist Vasil Llajo, pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan të marrin këtë detyrë si deputetët më të moshuar.
Rezultatet e zgjedhjeve sollën një përbërje të re në Kuvend: Partia Socialiste mori 83 mandate deputetësh, Partia Demokratike dhe aleatët e saj siguruan 50 mandate, Partia Socialdemokrate fitoi 3 mandate, Partia Mundësia 2 mandate, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë morën nga një mandat secila.
Gjatë kësaj seance do të zhvillohet verifikimi i mandateve, betimi për 140 deputetë, mes tyre 72 që hyjnë për herë të parë, zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe miratimi i strukturës së përkohshme për organizimin e punës së komisioneve parlamentare.
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama propozoi Niko Peleshin për postin e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa Klodiana Spahiu për nënkryetare. Taulant Balla është konfirmuar si kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka konfirmuar Gazment Bardhin si drejtues të Grupit të saj Parlamentar, ndërsa Sali Berisha ka propozuar sërish Agron Gjekmarkajn për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Me 83 mandate dhe mbështetjen e mundshme të aleatëve të saj tradicionalë, si Partia Socialdemokrate, miratimi i qeverisë pritet të kalojë pa pengesa.



