
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije për herë të parë se ka ka zhvilluar një operacion kontrabandë së bashku me ministrin e Jashtëm italian, Luigi di Maio, për vaksinat antiCovid gjatë kohës së pandemisë.
“Corriere della Sera” shkruan se mëngjesin e sotëm në konferencën “Kultura do të shpëtojë botën” që u zhvillua në Bergamo të Italisë, kryeministri Rama shpjegoi si Italia pranoi të ndihmojë Shqipërinë asokohe pavarësisht kërcënimeve për padi ligjore nga kompania Pfizer.
Sot them diçka që askush nuk e di. Unë jam shqiptaro-italian, Di Maio napolitano-shqiptar, kemi bërë një operacion kontrabande bashkë. Çfarë italiani apo shqiptari jeni, nëse qëndroni gjithmonë në përputhje me ligjin?
Njerëzit kishin frikë se do vdisnin si peshku jashtë ujit, por ne nuk e kishim vaksinën. E pyeta Luigi-n, a mund të na japësh doza të paktën për mjekët dhe infermierët? Pfizer kishte një kontratë shumë kapitaliste me qeveritë: Unë ju jap vaksinat, por ju nuk mund t'ia jepni askujt.
Luigi tha: Është një gjë shumë serioze.
Por ne e bëmë këtë me shërbimet sekrete, dy ministra i kalonin njëri-tjetrit mallra kontrabandë për të shpëtuar njerëzit . Pastaj nuk mund t'i fshihnim vaksinat, duhej t'i administronim edhe ato. Avokatët e Pfizer po kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thamë: nga një vend mik. Thashë se kishim mësuar nga napolitanët se nuk duhet të heqësh dorë kurrë nga një mik para policisë.
Rama foli edhe për situatën politike në Shqipëria dhe për marrëdhëniet e vendit tonë me Italinë.



