Ish-ministri i Jashtëm Arian Starova tha në Mcn Live se lëshimi i raketave balistike nga Irani pas armëpushimit me Izraelin mund të jetë një shenjë për një konflikt brenda elitës radikale brenda këtij shteti. Sipas Starovës një pjesë e elitës drejtuese të Iranit mbase s’e ka pranuar armëpushimin. Ish-ministri thekson se Trump arriti një sukses të madh duke i prerë Iranit krahët që po kapnin armën bërthamore dhe Presidenti amerikan ka dhënë një kontribut për paqen.
“Teorikisht jemi në armëpushim, praktikisht kemi një fenomen që janë shkatërruar raketa balistike të lëshuara nga Irani. Ka shumë pikëpyetje. Besoj që Izraeli para se të thoshte që raketat janë lëshuar nga Irani e ka vërtetuar këtë, por gjithsesi të presim. Mendoj që ndoshta kjo është shenjë e parë, e lehtë, që në Iran ka filluar një konflikt brenda Pallatit, brenda elitës dhe një pjesë radikale atje, e cila është e rreshtuar me liderin suprem, ndoshta s’e ka pranuar këtë gjë dhe ka shtypur butonin jo të duhur në raport me armëpushimin. Unë kështu e mendoj me kaq të dhëna sa kam”.
Në Amerikë përpiqen që vendimet e mëdha t’i kenë dypartiake, por gjithmonë ka debate. Marrëveshja e Obamës derisa e rriti rrezikun bërthamor, u shfrytëzua nga Irani për të fituar kohë dhe kjo marrëveshje nuk vlejti. Irani vazhdoi dhe erdhi puna deri te goditja. Kritikat që kam parë nga kampi demokrat është pse s’u njoftuam edhe ne, por Trump ruajti një heshtje taktike, për shkak të gravitetit që kishte ky sulm, s’u bë me qëllim që të shpërfillte demokratët.
Prerja e krahëve që po kapnin armën bërthamore, është sukses i madh, i mbështetur nga të gjithë krahët e politikës amerikane. Është shërbim i madh për paqen. I hoqi nga duart Iranit mundësinë e përdorimit të një arme bërthamore për gjithë rajonin dhe ky është një kontribut për paqen, përmes forcës”.
Starova tha se sulmi i SHBA-ve në Iran është një sinjal edhe për Vladimir Putinin.



