Eksperti i sigurisë, Faik Basha deklaron se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga goditjet me thikë nga bashkëmoshatari i tij në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, ndodh edhe për shkak se oficerët e sigurisë nuk janë të specializuar për punën me të rinjtë.
Duke folur për MCN Live, ai tha se ngjarja ka të bëjë me moshën më delikate dhe nënvizoi nevojën për të pasur një oficer sigurie që merret me punën në komunitet.
Duhet një oficer i përgatitur dhe nga ana psikologjike dhe të ndërhyjë në konfliktet e këtyre nxënësve.
Duhet të jetë i përgatitur më tepër se kushdo tjetër.
Realiteti është që edhe ata që kanë përfunduar në mësuesi janë nxënësit me rezultatet më të dobëta, sepse të kualigikuarit po na ikin jashtë.
Nëse 14-vjeçari gjendet fajtor, për shkak të moshës mund të dënohet deri në 12 vite burg.
Nuk mund të flasim për përgjegjësi ligjore te familja, se e gjithë familja jonë vuan nga kjo.
Mua më bën përshtypje si ka mundësi që kemi kaq shumë fëmijë të implikuar në grupe kriminale.
Edhe arrestimi i 10 personave që kishin ngritur laborator droge, quhet sukses. Për mua nuk është sukses, është dështim i policisë.
Grindjet mes fëmijëve në shkolla, si duket aty qenkan normale.
Pasi një oficer sigurie që ka menaxhuar një konflikt të tillë, pa shkuar në fatalitet dhe nuk ka njoftuar prindërit me një mesazh për të parë situatat, por është munduar ta mbyllë vetë, tregon se këto ngjarje nuk janë të izoluara.
Institucionet dhe personat përgjegjës mundohen ta mbyllin vetë.
Ne nuk dimë zanafillën e ngjarjes, mund të jetë për një vajzë, por edhe për narkotikë, pasi këtij fëmije i ka ardhur në ndihmë edhe një fëmijë tjetër nga jashtë shkollës.
14-vjeçari Martin Cani humbi jetën në spital mesditën e djeshme, ndërkohë që shoku i tij Luis Meçja ndodhet në spital i plagosur. Si të dyshuar policia njoftoi arrestimin e 14-vjeçarit të dyshuar për krimin.



