Dashuritë dhe marrëdhëniet toksike/ Panelistët diskutojnë linjën e hollë mes dy koncepteve

Dashuritë dhe marrëdhëniet toksike/ Panelistët diskutojnë linjën e hollë mes dy koncepteve

Në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, u zhvillua një diskutim mbi temën e marrëdhënieve të shëndetshme dhe atyre toksike, me fokus tek ndikimi që këto lloj raportesh kanë në jetën emocionale dhe zhvillimin personal të individit.

Panelistët e ftuar, psikologia Almeida Xhaferi, influenceri Bruno Shemsho, dhe gazetarja Adel Hysenllari, ndanë mendimet e tyre mbi vijën e hollë që ndan dashurinë e shëndetshme nga lidhjet toksike, si dhe pasojat që sjellin këto dinamika në jetën e përditshme të një çifti.

Diskutimi në panel solli në dritë dallimet mes dashurisë që të bën të rritesh si individ dhe lidhjeve që të konsumojnë emocionalisht. 

Psikologia Xhaferi u ndal në rrënjët psikologjike të lidhjeve toksike. 

Sipas saj, personat toksikë janë zakonisht kontrollues, të paqëndrueshëm emocionalisht, me frikë të thellë nga braktisja:

Në një lidhje toksike, shpesh ekziston një dinamikë ku të dy partnerët përfshihen në mënyrë obsesive me njëri-tjetrin. 

Është si një errësirë që të thith dhe gjatë këtij procesi, njeriu humbet veten.

Shumë individë që rriten nën një vështrim kritik dhe me ndjesinë se nuk janë ‘mjaftueshëm të mirë’, e kërkojnë më pas këtë vërtetim në partnerë toksikë. 

Ata përpiqen ta fitojnë vëmendjen dhe dashurinë e tyre, duke menduar se nëse ndryshojnë për ta, gjithçka do të rregullohet.

Personat toksikë janë zakonisht kontrollues, të paqëndrueshëm emocionalisht, me frikë të thellë nga braktisja. Ata zhduken dhe rishfaqen, sepse kanë nevojë të dinë që ti nuk do t’i braktisësh. Dashuria e shëndetshme, përkundrazi, nuk synon ta kontrollojë tjetrin, por të ecë përpara me qëllime dhe projekte të përbashkëta.

Gazetarja Adel Hysenllari vuri në dukje se shpeshherë marrëdhëniet toksike ngatërrohen me pasionin apo emocione të forta.

Toksiciteti të jep një qëllim, të jep emocion. Kur emocionet në një marrëdhënie bien në ‘gjumë’, ndonjëherë kërkojmë qëllimisht situata që na provokojnë. Prandaj toksiciteti mund të duket ‘i gjallë’, por në thelb është i dëmshëm.

Xhelozia është shpesh pasojë e pasigurive të brendshme. 

Dashuria nuk ka një formulë fikse, çdo njeri e shpreh ndryshe. Por nëse dikush largohet e rikthehet vazhdimisht, ai nuk të do. 

Thjesht nuk të do. Duhet të dish kur të vazhdosh përpara.

Influenceri Bruno Shemsho ndau një përvojë personale, duke pranuar se ka pasur sjellje toksike në marrëdhënie të mëparshme. Ai theksoi se eksplorimi i vetes dhe rritja emocionale ndihmuan në ndryshimin e tij:

Dikur më pëlqente të kisha kontroll. E ndjeja të domosdoshme të isha gjithmonë në krye, që të ndihesha mirë me veten. Ishte një formë e shprehjes së pasigurive të mia. 

Eksplorimi i vetes dhe rritja emocionale më ndihmuan në ndryshimin tim. 

Më pas njoha veten më mirë. Kuptova që në një marrëdhënie të vërtetë, nuk ka vend për dominim apo kontroll, ka vend për bashkëjetesë, mirëkuptim dhe vetëvlerësim të ndërsjellë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy