Në një raport zyrtar të Bashkisë Tiranë për vitin 2024, rezulton janë përfituar 140 milionë euro të ardhura vetëm nga lejet e ndërtimit vetëm për vitin që lamë pas. Jonatan Pano, anëtar i Këshillit Bashkiak të PD në Tiranë, tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se është firmosur për të mbushur artificialisht arkën e Bashkisë Tiranë. Sipas tij raporti tregon dështimet kolosale të bashkisë, dhe nuk kemi një realizim të mirë të të ardhurave nga ky institucion.
“Janë vetëm lejet komerciale, për pallatet që ndërtohen, për objektet komerciale vetëm 8 për qindshi i taksës së infrastrukturës ka arritur në vlerën 140 milionë euro. Shkon në 1,8 miliardë euro ndërtime në Tiranë për vitin 2024. Tirana po vazhdon betonizimin e saj dhe lind pyetja kush do shkojë dhe do banojë në këto kulla. Raporti tregon dështimet kolosale të bashkisë. Nuk kemi një realizim të mirë të të ardhurave të bashkisë.
Bashkia vërtet ka mbledhur fonde, por cili ka qenë faktori kryesor? Në momentin që shikon që mbledhja e taksave s’është në masën 100 për qind, ndërsa kompensimi nga lejet e ndërtimit është realizuar në masën 216 për qind. Firmoset për të mbushur artificialisht arkën e Bashkisë Tiranë. Po diskutojmë me një bashki me buxhet vjetor mbi 500 milionë euro, ndërkohë që për cilësinë e jetesës renditemi të fundit në Europë.
Nëse këto kulla do rrisnin standardin e jetesës, migrimin e brendshëm...Por raportet na kanë treguar që një pjesë e madhe e popullsisë është në varfëri, të rinjtë po largohen. Një nga shkaqet e mosrealizimit të buxhetit nga taksat e kopshteve dhe çerdheve është për shkak të emigracionit. Kemi një rritje, mbirealizim, por kjo vjen vetëm nga taksa e infrastrukturës.
Taksa s’është vetëm 8 për qind, ndërtuesi duhet të paguajë edhe 1 për qind të lejës, 3 për qind strehim social, që në total shkon 12 për qind. Kjo ka sjellë edhe rritje të çmimeve për shkak të rritjes së diferencës. Tirana është një bashki që do të shpenzojë lekë, por jo të investojë lekë. Është një nga sponsorët kryesorë për festivale dhe argëtime”.
Pano tha se kemi bërë kërkesë për shkarkimin e Erion Veliajt në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ndërkohë që kryebashkiaku ndodhet prej 10 shkurtit në paraburgimin e Durrësit.



