
Edhe pse ka kritika ndaj BE-së për qëndrimin lidhur me blerjen e vaksinave, Hungaria nuk do të zgjedhë vaksinën ruse. Kryeministri hungarez Viktor Orban e motivon këtë zgjedhje me kapacitetin e kufizuar të prodhimit të Sputnik V.
“Ne e dimë që vaksina ruse është e mirë, por nuk ka doza të mjaftueshme dhe me gjasë nuk do të ketë, për shkak se ata kanë kapacitete të kufizuara të prodhimit”, tha ai në një intervistë për radion publike hungareze.
Orban me shumë gjasa do të zgjedhë vaksinën kineze.
“Për dallim nga ‘Sputnik V’, vaksina kineze është më premtuese dhe duket se do të jetë e gatshme më shpejt në sasi të mëdha”, tha Orban, duke shtuar se, “idealja do të ishte nëse ju mund të zgjidhni nëse doni të vaksinoheni me ndonjërën nga vaksinat e prodhuara në Perëndim apo me vaksinë kineze”.
Një javë më parë, Orban u shpreh kundër praktikës që po ndjek Blloku për nisjen e koordinuar të vaksinimit kundër COVID-19.
Si vend anëtar, Hungaria i ka marrë dozat e vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech më 26 dhjetor. Por ajo e nisi menjëherë vaksinimin duke mos pritur datën 27 dhjetor, për të cilën ishin dakorduar vendet e BE-së.



