
Me tone të ashpra, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se me njohjen e Jeruzalemit ka ligjëruar krimet e ushtrisë izraelite ndaj palestinezëve.
Në një kundërpërgjigje të SHBA-ve pas njohjes së njëanshme që Uashingtoni i bëri Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, Erdogan u bëri thirrje vendeve të botës të njohin Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës.
“I bëj thirrje gjithë kombeve të globit që respektojnë ligjet ndërkombëtare të ngrihen dhe të njohin Jeruzalemin si kryeqytet të pushtuar të shtetit palestinez”, u shpreh Erdogan.
Këto deklarata Erdogan i bëri gjatë konferencës së Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që u zhvillua në Stamboll ku të pranishëm ishin liderë të botës islame. Erdogan e akuzoi përsëri Izraelin se ishte një "shtet i terrorit".
Në samit foli edhe Mahmud Abas, president i autoritetit palestinez i cili akuzoi Uashingtonin për njëanshmëri.
“Me këtë veprim, Shtetet e Bashkuara e humbën kompetencën si ndërmjetës në procesin e paqes”, theksoi Abas.
Kjo është hera e parë që prej ndarjes së territoreve mes izraelitëve dhe palestinezëve në vitin 1947, që një prej vendeve anëtare të kuartetit ndërmjetësues të procesit si Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga politika nxitëse e dialogut dhe njohin Jeruzalemin si kryeqytet në Izraelit.



