
Maturantët e gjimnazit “Ibrahim Hasmema” në Mullet, Laura Memoçi, Ledjan Bitri dhe Luis Salla, së fundmi kanë krijuar një shkop inteligjent inovativ për personat me probleme me shikimin.
Për shikuesit e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ata shpjeguan idenë dhe realizimin e projektit, i cili synon t’u vijë në ndihmë personave të verbër në jetën e përditshme.
Laura Memoçi:
Ideja na lindi nga dëshira për të ndihmuar një mikun e tyre, i cili ka probleme me shikimin.
Ne jemi nxënës të gjimnazit ‘Ibrahim Hasmema’. Kemi një mikun tonë me probleme me shikimin dhe kjo na shtyu të krijonim diçka inovative për ta ndihmuar.
Kur pamë njoftimin për projektin, vendosëm të merrnim pjesë dhe të realizonim këtë shkop inteligjent.
Ledjan Bitri:
Shkopi inteligjent është ndërtuar për të identifikuar objektet përpara përmes një sensori që dërgon sinjal paralajmërues.
Për shembull, nëse ka një makinë, një trotuar apo një pengesë tjetër, sensori e dallon deri në rreth 2 metra distancë. Ne e kemi programuar që të sinjalizojë rreth 70-80 centimetra para pengesës, në mënyrë që përdoruesi të reagojë në kohë. Sa më shumë afrohet pengesa, aq më i fortë bëhet sinjalizimi.
Shkopi funksionon me modul karikimi dhe bateri të rikarikueshme, ndërsa sinjalizimet janë të diferencuara në anën e djathtë dhe të majtë, për ta ndihmuar përdoruesin të kuptojë drejtimin e pengesës.
Luis Salla:
Unë jam marrë me pajisje elektronike që në vegjëli. Shkopin ia dhamë mikut tonë për ta testuar dhe morëm reagime shumë pozitive.
Në të ardhmen, nxënësit synojnë ta përmirësojnë prototipin duke integruar një sistem GPS dhe komandë zanore, që të japë udhëzime si “kujdes majtas” apo “kujdes djathtas”.



