Përplasja e makinës së një funksionari të lartë policie ishte pikënisja e një skanimi masiv pasuror. Fiset Çapja dhe Çela, të cilët kanë konflikt të hapur, do të kalojnë në filtrin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit, pasi kanë nisur hetimet për vilat, hotelet, bizneset, lokalet dhe shumë pasuri të patundshme të tjera.
Në verifikim kanë kaluar pasuritë e Petrit Çelës, ku përfshihen Tregu Agro-Ushqimor, shtëpi, vila dhe dyqane në qytetin e Elbasanit. Prokuroria e Krimeve të rënda dhe Policia e Shtetit pritet të nisë hetimet edhe për fisin Çapja për disa biznese, sipas dokumentit në fjalë, ku përfshihet: Kompleksi Univers në Elbasan, i cili është në pronësi të Ermira Çapia, Garden Hotel në Xibrakë në pronësi të Erion Mihallait.
Gjithashtu po hetohen disa apartamente në Elbasan që mendohet se janë në pronësi të Florenc Çapjës, si dhe lokale në pronësi të Bledar Muçës. Në hetim janë edhe disa vila dhe makina luksoze në emër të Enver e Fejzullah Çapjas si dhe Ambri Sinakollit. Sipas burimeve nga Policia gjatë aksionit “Vjeshtë 2017” po hetohen edhe pasuri të patundshme ne emër të Vladimir Çapjas, Erion Çapja dhe Sajmir Serjani.



