
Një grup banorësh nga fshati Manastir në bregdetin e Sarandës, janë mbledhur para dyerve të zyrës vendore të Kadastrës në Sarandë.
Ata kundërshtojnë njëzëri prishjen e shtëpive të tyre në interes të ndërtimit të një resorti turistik mbi plazhin e Pasqyrave, dhe theksojnë se nuk do tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Shpëtim Ahmeti, këshilltar i djathtë bashkiak në Sarandë tha përmes një lidhje “skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se qytetarët nuk kanë pasur asnjë njoftim për ndërtimit e resortit, duke shtuar se është skandal të prishësh një fshat për një resort turistik të një individi apo investitori strategjik.
Sipas Ahmetit, Bashkia Sarandë nuk i jep zgjidhje asnjë problemi me të cilën hasen qytetarët.
Sot mësova nga banorët, rastësisht që ata nuk kanë pasur asnjë njoftim qoftë për largimin, qoftë për resortin. Kur bëhet një studim duhet të vendosin në dijeni qytetarët. Duhet të vendosen në dijeni banorët. Për çdo gjë, sidomos kur bëhet fjalë për investime në komunitet. Atje është një komunitet i gjerë. Nuk janë pak familje. Në dijeni time janë mbi 150 familje. Është një skandal të prishësh një fshat të tërë për një resort turistik të një individi apo investitori strategjik, sipas informacioneve që mora. I kërkova një informacion të shkurtër përfaqësuesit të bashkisë në kryesinë e Këshillit Bashkiak “a keni dijeni për gjendjen që po ndodh përpara zyrës së regjistrimin vendor të Sarandës?”. Mu përgjigjën 'jo'. Do të thotë që bashkia jonë është inekzistent ndaj problemeve të qytetarëve. Dhe sipas mendimit tim, e dhashë dhe fjalën time që do jemi krah tyre, edhe si këshilltarë. Më erdhi mirë që kolegët e mi këshilltarë pa dallim partiak u sensibilizuan për këtë situatë që po ndodhte para zyrës së regjistrimit vendor.



