Numri i të infektuarve me koronavirus i kaloi 25 milionë këtë të diel, ndërsa e gjithë bota po përpiqet që me anë të masave parandaluese të frenojë sadopak përhapjen e mëtejshme të infeksionit.
Që nga mesi i korrikut, rreth 1 milion raste të reja me koronavirus janë shtuar çdo katër ditë. Rritjen më të madhe ditore në rekord botëror e shënoi India të dielën me 78 761.
Kjo rritje erdhi mennjëherë pasi qeveria e vendit me 1.3 miliardë banorë lehtësoi masat për t’i dhënë ekonomisë mundësi të marrë frymë.
Pandemia duket se po kthehet me valën e saj të dytë edhe në ato vende ku mendohej se ishte zhdukur. Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, që e kishin vënë nën kontroll për mëse dy muaj, po përballen me raste të reja të infektuarish.
Ndërkohë, në anën tjetër të globit, në Amerikën Latine, vala e parë nuk ka mbaruar ende. Më i godituri është Brazili, ku numri i viktimave ka arritur në 120 000.
Edhe pse kurba atje ka nisur të ulet, çdo ditë zbulohen mesatarisht 40 000 raste të reja dhe humbasin jetën 1 000 të tjerë.
Deri tani, në të gjithë botën kanë humbur jetën 843 000 të prekur nga koronavirusi. Në një kohë kur nuk ka ende një vaksinë që të aplikohet masivisht, e vetmja strategji për ta luftuar virusin mbetet parandalimi përmes distancimit social dhe mbylljes.
Me këtë strategji shumë nuk janë dakord dhe kjo është bërë shkak për protesta në Europë. Kostoja që ajo ka mbi ekonominë i ka detyruar individë të spektrit të majtë e të djathtë të protestojnë në sheshe. Në Berlin u mbodhën dje rreth 180 mijë protestues kundër kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në Londër dhe Zyrih.



