
Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e presidentit Meta për buxhetin 2019.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha gjatë mbledhjes së komisionit se presidenti duhet të ndërhyjë për vendosjen e dialogut me studentët që protestojnë prej dy javësh.
“Buxheti i vitit 2019 ka të gjitha mundësitë që të furnizojë kërkesat e studentëve. Sot, studentët kanë aleat vetëm qeverinë. Dekreti i Metës, pa asnjë detaj për arsimin. Meta të ndërhyjë për dialog me studentët, kjo është zgjidhja”, u shpreh ai.
Pak ditë më parë, Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim buxhetin e vitit 2019, me argumentin se duhen plotësuar kërkesat e studentëve që lidhen me të.
Propozohet edhe rrëzimi i Vitore Tushës
Pas rrëzimit të dekretit për buxhetin e vitit të ardhshëm, Komisioni i Ekonomisë diskutoi propozimin e presidentit Meta për emërimin e Vitore Tushës në krye të KLSH-së. Komisioni i propozon Parlamentit rrëzimin e kandidaturës së saj.
Për kreun e Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, Vitore Tusha nuk ka eksperiencën e duhur për auditimet financiare.
“Vitore Tusha nuk ka eksperiencë në auditimet financiare.Vitore Tusha është e angazhuar në organet e reja të drejtësisë”, tha Braçe.



