
Danimarka hoqi një sërë kufizimesh për koronavirusin dhe lejoi rihapjen e disa vendeve të dielën, pavarësisht përhapjes së variantit omicron në vend.
Kinematë, kopshtet zoologjike, muzetë dhe teatrot ishin ndër vendet që mund të mirëpritnin sërish vizitorët. Një numër i kufizuar spektatorësh gjithashtu u lejuan të merrnin pjesë në ngjarje sportive të brendshme dhe të jashtme.
Vizitorëve u kërkohet të mbajnë maska në shumicën e këtyre vendeve dhe të japin prova se ata janë vaksinuar ose janë shëruar ose së fundmi kanë rezultuar negativë për Covid-19.
Qeveria po planifikon të lehtësojë më tej kufizimet e koronavirusit në Danimarkë, një vend me 5.8 milionë banorë.
Ministri danez i Shëndetësisë Magnus Heunicke u tha gazetarëve në fillim të kësaj jave se qeveria po monitoronte me kujdes situatën e pandemisë dhe "nuk do ta kishte mbështetur rihapjen nëse nuk do të kishte qenë për një qasje të qartë si nga ana jonë ashtu edhe nga ekspertë të jashtëm".
Varianti omicron ka më pak gjasa të shkaktojë sëmundje të rënda sesa varianti i mëparshëm delta, sipas studimeve të hershme.
Omicron përhapet më lehtë se variantet e tjera të koronavirusit dhe tashmë është bërë dominues në shumë vende. Ai gjithashtu infekton më lehtë ata që janë vaksinuar ose ishin infektuar më parë nga versionet e mëparshme të virusit.
Kryeministrja Mette Frederiksen tha të mërkurën se heqja e kufizimeve u bazua në rekomandimet e grupit këshillues të ekspertëve shëndetësorë të qeverisë - Komisioni i Epidemisë - dhe se kabineti i saj "synon të ndjekë rekomandimet" e panelit.



