Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet të zgjedhë sot pasuesin e Olta Zaçes si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, pasi kësaj të fundit i përfundon mandati.
Në një raportim për Mcn Live gazetari Arsen Rusta bën me dije se magjistrati Asim Vokshi ka pikët më të larta dhe sipas të gjitha gjasave pritet të jetë ai emri që KED do t’ia kalojë për miratim mbledhjes së gjyqtarëve, dhe mandej do dekretohet nga Presidenti Begaj.
“Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 9 anëtarë, me një prej tyre me mandat të përfunduar, kryetarja në detyrë Olta Zaçe, e cila edhe pak ditë është pjesë e kësaj gjykate dhe do duhet të largohet për t’u zëvendësuar. Janë 6 kandidatë të kualifikuar nga KED. Sot në 15:00 mes këtyre 6 kandidatëve do të përzgjidhet një emër për t’iu dërguar mbledhjes së gjyqtarëve, dhe Gjykata e Lartë më pas do përzgjedhë përfaqësuesin e saj. Zëvendësuesi i Zaçes jo automatikisht do jetë kryetar. Do të jetë mbledhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese që do të caktojë një kryetar të ri. Deri në këto momente kemi Asim Vokshin me 89, 5 pikë, Naureda Llagami me 89,3 pikë, Florian Ballhysa 77,83 pikë, Alma Faskaj 77, 77 pikë, Genta Tafa Bungo 75,44 pikë, Alban Toro 74, 22 pikë. Ajo cka kuptohet është se nga kjo listë me 6 kandidatë, magjistrati Asim Vokshi ka pikët maksimale dhe pritet që ai të jetë gjyqtari kushtetues, pasi do të vendosë sot në 15:00 KED, për t’ia kaluar më pas mbledhjes së gjyqtarëve, që nesër ose pasnesër do të propozojë emrin, dhe do të jetë dekreti nga Presidenti Begaj që do t’i japë të drejtën për të ushtruar mandatin e gjyqtarit”.



