Qeveria e Polonisë po e shndërron Stadiumin Kombëtar të Varshavës në një spital të përkohshëm për të menaxhuar pandeminë COVID-19. Stadiumi me kapacitet 58 500 vende do të presë 500 pacientë dhe do të jetë i pajisur me terapi me oksigjen, tha të hënën zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller.
Pacientët do të akomodohen në sallat e shumta të konferencave të stadiumit dhe ambientet shumëfunksionale të vendosura nën stendat e tij nga fundi i kësaj jave.
Polonia po përballet me rritje eksponenciale të infeksioneve të koronavirusit, pasi ka përjetuar shkallë shumë të ulët të infeksionit në pranverë krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore.
Është e paqartë se si qeveria do të zgjidhë problemin e stafit mjekësor për këtë spital, duke pasur parasysh mungesën e mjekëve dhe profesionistëve mjekësorë në vend.
Stadiumi Kombëtar u ndërtua për ndeshjet e kampionatit EURO 2012.
Sipas dy zyrtarëve qeveritarë, plane të ngjashme për krijimin e spitaleve të përkohshme ka në të gjitha rajonet e Polonisë nëse lind nevoja.
Të hënën, Ministria e Shëndetësisë e vendit regjistroi 7 482 infeksione të reja me koronavirus dhe 41 vdekje.
Javën e kaluar, qeveria e Polonisë njoftoi një seri masash në Varshavë dhe qytete të tjera të mëdha që tani konsiderohen "zona të kuqe", ku mbajtja e maskave është e detyrueshme në rrugë.
Të gjitha shkollat e mesme dhe fakultetet e vendosura në këto zona janë të mbyllura dhe po kryejnë mësime në distancë.
Restorantet duhet të mbyllen në orën 21:00, ceremonitë martesore janë të ndaluara dhe numri i njerëzve të lejuar në dyqane, transport publik dhe shërbime fetare është i kufizuar.



