Brenda vitit 2017 do të nisë leximi kompjuterik i faturave të energjisë elektrike. Gjatë një takimi me qytetarë në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se objektivi i qverisë mbetet përmirësimi dhe transparenca me qytetarët lidhur me faturat e energjisë elektrike.
Rama tha se leximi kompjuterik i faturave do t’i japë fund korrupsionit në sektorin energjetik.
“Problemi i leximit të faturave mbetet problematik, por ndryshimi është themelor. Nuk ka më afrofe, në 99 % të rasteve, fatura është korrekte. Ka edhe gabime, sepse akoma sistemi nuk është i plotë.
Unë jam i interesuar vazhdimisht për përmirësismin e shërbimit, ka filluar projekti i leximit kompjuterik të faturave, por është i lidhur me regjistrimin e popullsisë.
Brenda vitit, leximi i faturës do të jetë kudo jo më siç e duan lexuesit që kërkojnë ryshfet, por siç e lexon kompjuteri. Po punohet që leximi të bëhet katër herë në vit, që është një lehtësim dhe një goditje ndaj korrupsionit. Do të llogaritet një mesatare konsumi dhe në bazë të saj do të operohet me pagesat.
Ne në këtë rrugë do të lehtësojmë ata që janë më në nevojë dhe kanë detyrime të së kaluarës. Objektivi ynë është ulja e TVSH-së së energjisë. Por për këtë na duhet një sistem i kontrollueshëm prej nesh dhe qytetarëve njëkohësisht”, tha Rama.



