
Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç rreth tri javë më parë në veri të Mitrovicës. Agjencia e Inteligjencës ka arritur të identifikojë autorët e vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviç, duke siguruar të dhëna të reja lidhur me atentatin ndaj politikanit serb.
“Edhe AKI, por edhe Policia e Kosovës, kanë informata për dorasin dhe për motivet e vrasjes së OIiver Ivanoviçit. Ndoshta edhe më tej këto informacione nuk janë ato të duhurat, sa për të kryer arrestimin, mirëpo pista ekziston. Ekziston rreziku që nëse arrestimet do të kryheshin tash, do të mund të dëmtoheshin hetimet e mëvonshme. Për këtë gjë, këto institucione, i kanë informuar edhe udhëheqësit politikë, sipas të gjitha gjasave edhe në Kosovë, por edhe në Serbi”, raporton Express.
Oliver Ivanoviç u vra më datën 16 janar para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë. Spekulimet për vrasjen e tij, kanë qenë të shumta sa që mediat në Serbi kanë raportuar se pak ditë para se të vritej Ivanoviç i kishte nisur një mesazh telefonik Presidentit Vuçiç, por që nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje.



