
Denis Dyrnjaja
Nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë në çdo program e çdo ekran verën se dalin personazhe të ndryshëm që komentojnë zhvillimet mbi hetimet e Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Organizuar dhe korrupsionin (SPAK). Jetojmë në një epokë të lirisë së mendimit dhe fjalës dhe kjo legjitimon hapësirën për të menduar dhe shprehur edhe mbi çështje që lidhen me drejtësinë në veprim, interesin publik dhe politikën e politikanët që lidhen me këtë interes publik. Por ndërsa është mundësia për t'u shprehur pa kufi dhe për gjithçka, yshtja për protagonizëm ka mbërritur në grotesk.

Kjo pasi ndërthuret fort fantazia e spekulimi por jo rrallë edhe injoranca e delirimi. Shumica e atyre që komentojnë, japin mend se si duhet të hetohet, pra në ç'mënyrë, apo se kë po dhe kë jo duhet të hetojë prokuroria?! P.sh. ca pretendojnë se nuk po hetohen njerëzit e mazhorancës aq sa duhet, deri sa duhet dhe deri ku duhet.
Për këtë grup që i përket skeptikëve militantë edhe për ata që po kryen hetime, dyshimi mbërrin deri në pikën e konkluzionit të shndërruar në bindje të fiksuar, se SPAK-u është gjithë kohës i orientuar dhe kontrolluar nga mazhoranca. Pastaj brenda këtij skenari fantazohet një skenar tjetër edhe më grotesk, sikur një individ apo klan brenda mazhorancës, po orienton, gati sa nuk thuhet urdhëron prokurorinë të hetojë palën e presupozuar kundërshtare brenda llojit.
Pra me ose pa dashje, futet në lojë edhe diversioni. Ndërkohë sipas skenarit konspiracionist, të gjithë këta i kontrollon kryeministri nën moton "Rama të mbron, Rama të lëshon". Sapo SPAK-u njofton një çështje të re apo thërret dikë për t'u pyetur, del një "fantazist" ose dhe disa syresh si ai, që thotë/në e hapën çështjen e këtij që të mbulojnë çështjen e atij.
Ca të tjerë thonë drejtësia nuk duhet të ecë me mënyrën e barazimit dhe sjellin si argument se nuk mund të jetë njësoj numri i çështjeve që duhet të hetohen. Pra nëse merret nën hetim një përfaqësues i mazhorancës, nuk duhet të ekuivalentohet me hetimin e një përfaqësuesi të opozitës. Dhe në fakt drejtësia nuk njeh krah, madhësi apo vogëlsi çështjeje apo personi.
Ajo thjeshtë duhet të veprojë. Por ndërkohë që pretendohet kjo duke theksuar se drejtësia nuk duhet të hetojë me kandar, pra një andej e një këtej, vendoset kandar te rëndësia e çështjeve. P.sh. të njëjtët "mendimtarëve" iu humbet logjika kur ndërsa thotë se drejtësia nuk duhet të ketë përzgjedhje, pra krah dhe barazi, thonë se nuk mund të hetojë drejtësia çështjen e "21 Janarit", para koncesioneve, sepse dëmi te koncesionet është më i madh, kur ndërkohë jeta e njeriut në çdo sistem prevalon mbi gjithçka.
Pra humbja e jetës është krimi më i rëndë në çdo sistem. Për ata që kanë njohuri elementare jurisprudence, edhe në diktaturë pavarësisht se ishte në fakt e fundit për nga dinjiteti real, në terma ligjorë, jeta e njeriut ishte më e rëndësishme se gjithçka. Në demokraci gjithashtu. Pra po te jetë për kandar ngjarjet ku humbin jetën njerëzit, sidomos kur presupozohet se përgjegjës është shteti dominojnë dhe kanë përparësi, por dhe kjo nuk varet nga dëshirat apo emocionet, por nga mundësitë dhe provat që drejtësia ka në dispozicion.
Ndaj s'mund të pretendosh të pamundurën në kontekstin e ligjit dhe drejtësia ecën mbi fakte e prova, jo me perceptim. Por pavarësisht realiteteve ligjore, ditë e natë vazhdon sipas oreksit dhe interesit, herë për audiencë mediale, herë për interesa politike, por jo rrallë për famë personale, një përrua me njerëz që japin leksione dhe orientime se kush duhet ta ketë radhën të përballet me drejtësinë dhe çfarë duhet të bëjë drejtësia me njërin e tjetrin.
Për rrjedhojë kemi mbërritur në një rrumpallë publike me kontributin ekskluziv të medias, ku se merr më vesh i pari të dytin. Të gjithë njëherësh janë edhe prokurorë, edhe profesorë, edhe gazetarë edhe gjyqtarë. Dhe si kusur "nxënësit e paditur" mbetet të jenë prokurorët dhe gjyqtarët realë, që në këto kushte e për këto rrethana që kanë ardhur, të duken gati gati për t'u mëshiruar profesionalisht.
Duke ndërhyrë e komentuar me pjesëza të paplota çështjesh, duke aluduar pa baza dhe pa një maturi analitike ngjarjet dhe personazhet e implikuar, vetëm po krijojmë pështjellim në publik dhe kjo iu intereson disave që realisht kanë halle me drejtësinë. Por sido qoftë këto halle e këto njolla në raport me ligjin nuk do të mbyllen dot, pavarësisht gjithë përpjekjeve të qëllimshme apo të paqëllimshme me përdorimin apo vetpërdorimin e marionetave të politikës.
Për fat me gjithë këtë presion shpesh i shfaqur nga tinëzarë apo kopilë të politikës e herë nga idiotë dhe kaqolë të medias, drejtësia e krijuar rishtas po ecën dhe funksionin me gjithë problemet e trashëguara nga impotenca e drejtësisë së vjetër. Ndaj t'iu lënë kohë dhe mundësi këtyre magjistrateve të punojnë dhe të shohim deri ku do shkojnë e pastaj nëse do të nevojitet t'i gjykojmë a kryqëzojme, po ndoshta edhe t'i mësojmë.
Por fillimisht t'i lejojmë të bëjnë punën e tyre e cila nuk është me sot për nesër, as me hënë e orekse politike dhe sigurisht as me humore apo tallaze mediatike.



