
Në një konferencë për media përkrah homologut britanik David Cameron, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm kur ka pasur qëndrim të qartë dhe kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Rusisë, që sipas saj është një vend agresiv. Gërvalla tha se ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.
“Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, ka thënë Gërvalla gjatë konferencës me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.
Cameron vuri në dukje se e mbështet Kosovën “në të drejtën e saj për t’u njohur nga të tjerët”. “Mbi të gjitha më e rëndësishme është që të ndërtohet një shtet ku të gjithë ndihen se kanë të ardhme të sigurt, të gjitha komunitetet”, u shpreh ai.
Kryediplomati britanik gjatë vizitës në Kosovë do të takojë edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.



