
Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ashtu si edhe raportet e organizatave vendase, ngriti shqetësime për përdorimin e burimeve publike gjatë fushatës, si dhe për çështje të tjera që lidhen me standardet zgjedhore.
Ekspertja e çështjeve zgjedhore, Gerta Meta, në një analizë për edicionin e lajmeve në MCN tv, tha se gjetjet e vëzhguesve vendas dhe atyre ndërkombëtarë janë në të njëjtën linjë dhe evidentojnë të njëjtat problematika.
Sipas saj, fenomeni i "patronazhimit" dhe presioni ndaj administratës publike vazhdojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.
Edhe si vëzhgues vendas kemi pasur shqetësimin për arritjen e standardeve në procesin zgjedhor të 11 majit.
Nëse lexohen raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe atyre vendas, shihet se jemi në të njëjtën linjë për mënyrën se si është zhvilluar i gjithë procesi zgjedhor.
Shqipëria ka nevojë për një qasje tjetër për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Fushata zgjedhore ka problematikat e saj, por elementi që ka ndikuar më shumë në mosarritjen e standardeve është përdorimi i burimeve publike dhe i burimeve njerëzore gjatë fushatës.
Meta veçoi si shqetësim edhe presionin ndaj administratës publike dhe fenomenin e patronazhimit.
Presioni ndaj administratës publike dhe fenomeni i patronazhimit janë dy fenomene që vazhdojnë të pengojnë dhe të mos e lënë rehat, zhvillimin e proceseve zgjedhore sipas standardeve demokratike.
Përveç përdorimit të burimeve shtetërore, problem mbetet edhe intimidimi i administratës publike, si dhe shkeljet e Kodit Zgjedhor gjatë periudhës katërmujore para zgjedhjeve.
Ka aktivitete që Kodi Zgjedhor i ndalon qeverisë t'i zhvillojë në katër muajt para zgjedhjeve, por këto kufizime janë shkelur në mënyrë të hapur.
Për më tepër, nuk ka pasur asnjë reagim apo mbajtje përgjegjësie për këto shkelje.



