
Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar sot ankimimin e nënës së Ajola Xoxës, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestron preventive mbi pasuritë e paluajtshme.
Bëhet fjalë për një vilë në zonën e Qerretit, në emrin e Valbona Xoxës. Në atë apartament janë gjetur edhe disa prova materiale.
Menjëherë pas daljes së Valbona Xoxës nga SPAK, në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur Ajola Xoxa.
Bashkëshortja e kryebashkiakut ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së që legjitimoi kontrollet në bizneset e saj.
Ajo kërkon gjithashtu kthimin e sendeve personale, mes të cilave laptopit, telefonit celular.
VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 10.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 12, datë 27.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses V.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasurinë e paluajtshme”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 84, datë 10.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.



