
Një aktiviste e PD-së në Divjakë u dhunua sot pasi filmoi një takim elektoral të PS-së, ndërsa si autor identifikoi shefin e Komisariatit të Policisë Divjakë, Altin Shehu. Ky i fundit ka dëshmuar duke u shprehur se, vajzën në fjalë, Elsa Bitën, nuk e dhunuar askush, por u rrëzua pasi vrapo nga frika.
“Elsa Bitën nuk e ka prekur njeri me dorë, por ajo është frikësuar dhe ka vrapuar, i është rrëzuar telefoni, madje është rrëzuar edhe vetë”, citohet të ketë thënë Shehu për autoritetet.
Ministria e Brendshme njoftoi se për rastin në fjalë do të nisin hetimet. Prokuroria po mbledh prova për të mësuar të vërtetën se si përfundoi e reja me krah të thyer në spital, ndërsa SHÇBA-ja ka nisur hetimet për shefin e Komisariatit Altin Shehu.
“S’po bëja asgjë. Thjesht po filmoja. Isha drejtpërdrejtë dhe po bënim miting brenda në lokal. Njoftuan policinë. Erdhi shefi dhe më goditi vetë Më mori telefonin, më tërhiqte me forcë”, tha aktivistja e PD.
Konflikti mësohet se ka nisur pak pasi Elsa Bita nisi një video live në Facebook, ku tregoheshin makinat e parkuara pranë një lokali, në Divjakë, ku thoshte se po bëhej një takim elektoral, i cili është i ndaluar në ditën e heshtjes zgjedhore.
Videoja e saj ndërpritet kur vjen me makinë shefi i policisë së zonës dhe i drejtohet ‘Çfarë problemi ke?’.
Ndërkohë nga autoritetet përkatëse nuk bëhet me dije ende nëse do të nisë një hetim apo do të gjobiten strukturat e PS-së së mbledhur në lokal, në ditën e heshtjes zgjedhore.



