
Pas reagimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë lidhur me përfundimin e zgjedhjeve të 11 majit, përfaqësuesi i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, Rezart Kthupi, komentoi në “MCN Live” se mesazhi amerikan ishte një urim për procesin demokratik dhe jo për përfituesin politik të zgjedhjeve.
Është e rëndësishme të theksojmë se urimi i Ambasadës së SHBA-së iu drejtua popullit shqiptar për pjesëmarrjen dhe angazhimin në proces, dhe nuk pati asnjë përmendje specifike të kryeministrit Rama apo ndonjë force politike, çka është një sinjal diplomatik domethënës.
Në marrëdhëniet diplomatike, një urim për pjesëmarrjen qytetare nuk përbën një certifikim të procesit zgjedhor, veçanërisht nëse ka pasur shqetësime për shkelje apo manipulime.
Mospranimi i rezultatit apo mospërmendja e fituesit nuk është rastësi. Nëse SHBA do të kishte dashur të shprehej qartë për standardet e larta të zgjedhjeve, do e kishte bërë si në të kaluarën. Ky është një mesazh i matur dhe i qëllimshëm.
Kthupi shtoi se këto zgjedhje nuk sollën ndryshime domethënëse në raport me ato të vitit 2021, të cilat u shoqëruan gjithashtu me probleme të njohura si shit-blerja e votës, intimidimi i administratës dhe përdorimi i burimeve shtetërore.
Kemi pasur katër vite për të rregulluar Kodin Zgjedhor dhe problematikat e konstatuara më parë, por asgjë nuk ndryshoi, nuk u bë për katër vite.
Nëse diplomacia amerikane do të shprehej ndryshe, do t’i duhej të pranonte dështimin në përpjekjet për reformimin e sistemit.



