Presidenti amerikan Joe Biden tha të mërkurën se po shqyrtonte një kërkesë australiane për të hequr ndjekjen penale të themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, i cili publikoi një sërë dokumentesh konfidenciale të klasifikuara amerikane.
Kryeministri australian Anthony Albanese mbështeti në shkurt një mocion në dhomën e ulët të parlamentit ku bëhej thirrje për kthimin e 52-vjeçarit, në Australi.
Zyrtarët amerikanë po kërkojnë të ekstradojnë Assange nga Britania në Shtetet e Bashkuara, ku kërkohet për akuza penale.
SHBA dëshiron të ekstradojë Assange nga Britania e Madhe me akuza penale për rrjedhjen e të dhënave ushtarake. Assange i mohon akuzat, duke thënë se rrjedhjet ishin një akt gazetarie.
Kur u pyet të mërkurën nëse ai kishte një përgjigje ndaj kërkesës së Australisë, Biden tha: “Po e shqyrtojmë”.
Assange, 52 vjeç, po mbahet në burgun Belmarsh dhe po lufton ekstradimin e tij në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar.
Ekstradimi i Assange u pezullua në mars pasi Gjykata e Lartë e Londrës tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të japin garanci se ai nuk do të përballet me dënimin me vdekje.
Prokurorët amerikanë duan të gjykojnë Assange në 18 akuza, pothuajse të gjitha sipas Aktit të Spiunazhit, lidhur me publikimin nga WikiLeaks të të dhënave konfidenciale ushtarake amerikane dhe kabllogrameve diplomatike në lidhje me luftërat në Afganistan dhe Irak.
Pasi Britania dha miratimin për ekstradimin e tij vitin e kaluar, avokatët e Assange në shkurt filluan një përpjekje përfundimtare në gjykatat angleze për të kundërshtuar largimin e tij.



