
Tensioni vijon në Karakas, pas protestave masive në rrugë dhe vendimit të liderit të opozitës, Juan Guaidó, për t’u vetëshpallur "president i përkohshëm" i Venezuelës, në një gjest që vuri në pikëpyetje legjitimitetin e Nicolas Maduros dhe ndau në mënyrë të hapur komunitetin ndërkombëtar. Në vendin me dy presidentë mbizotëron paqartësia mbi atë që do të ndodhë dhe për më tepër, frika e shtypjes së protestave dhe një lufte të dhimbshme civile.
"Unë kurrë nuk tërhiqem", ka thënë Maduro, duke i quajtur palaço kundërshtarët e qeverisë paralele të udhëhequr nga Guaido. Duke folur në një ceremoni në Karakas, Maduro ripërsëriti ultimatumin se "diplomatët amerikanë duhet të largohen nga Venezuela deri të dielën".
Ai tha se Venezuela po tërheq diplomatët e saj nga Amerika. Ata do të kthehen në shtëpi të shtunën. Lëvizja e opozitës ngriti mbështetësit e dikurshëm të Chavez-it, tani të Maduros, të mblidheshin rreth pallatit Miraflores për të mbrojtur legjitimitetin e presidentit në detyrë. Për 48 orë, sheshi u bë arenë përplasjesh. Deri tani janë 26 të vrarë dhe rreth 300 të plagosur.
Në këtë fazë të parë të konfrontimit akut politik, bilanci në favor të Guaido-s erdhi falë mbështetjes maksimale të presidentit amerikan Donald Trump, shembullin e të cilit e ndoqën shumë vende të tjera, mes të cilave edhe Franca e Britania e Madhe. Kjo shtytje mund të kishte qenë fatale për pasardhësin e Hugo Chavez, por nga ana tjetër ka si kundërpeshë Forcën e Armatosur Kombëtare Balivariane (FANB), Asamblenë Kombëtare Kushtetuese (ANC) dhe Gjykatën e Lartë të Drejtësisë (TSJ).
Në krah të Maduros janë edhe Rusia, Kina dhe Turqia.



