Menaxhimi i aseteve publike përmes Korporatës së Investimeve Strategjike po shfaqet si një sfidë që nuk po adreson interesin e publikut dhe të grupimeve të shoqërisë civile, vlerësojnë ekspertët e ftuar në një debat mbi investimet strategjike të saj.
Sipas inxhinieres Dëshira Mena, “Menaxhimi i aseteve publike nuk bëhet pa një mbështetje të gjerë. Publiku duhet të përfitojë nga investimet publike. Këto korporata i shoh të shkëputura nga grupet e interesit. Investimi duhet të shihet në një aspekt më afatgjatë.”
Mena shtoi se, megjithëse Korporata është krijuar për menaxhimin efikas të burimeve dhe të ardhurave publike, shoqëria civile nuk po përfshihet në proces.
Nga mënyra se si po aplikohet dhe zgjeron aktivitetin e vet, nuk e shohim veten të përfshirë në këtë lloj investimi ku duhet të ishim. Projekte si Durana Park lidhen direkt me sektorin inxhinierik, por sa afër është kjo korporatë me shoqërinë civile? Nuk bëhet menaxhimi i aseteve pa mbështetje të gjerë, sepse është korporatë shtetërore që menaxhon asetet publike…
Po të shohim këto projekte, raporti midis përfitimit të publikut dhe atij privat nuk është i baraslarguar. Ajo korporatë ka synim që të përfitojë sa më shumë nga investimi publik.
Nga ana tjetër, arkitekti Gjergj Caca theksoi aspektin e mungesës së konsultimit publik dhe prioritetet jo-optimal të korporatës.
Desha ta shihja në tre aspekte: e para, të menaxhosh aset publike nuk është gjë e keqe. Por kjo korporatë ka filluar nga fundi i asaj që duhet të bëhet, duke dhënë për ndërtim ish-objekte apo troje shtetërore, kur duhet të kishte nisur nga asetet me risk më të lartë…
Konsultimi publik dhe grupet e interesit për atë që duhet bërë për të mirën e Shqipërisë, kjo është e munguar. Duhet të bëhen konsultime publike, zero. Në këtë mënyrë humbasim prona që nuk kthehen më.
Ekspertët ranë dakord se për të pasur një menaxhim efikas dhe përfitim maksimal të investimeve publike, Koorporata duhet të integrohet më mirë me grupet e interesit dhe të përqendrohet në projekte me afatgjatë dhe me ndikim ekonomik real, duke shmangur përparësinë e fitimeve të menjëhershme mbi interesin publik.



