Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj tha në “Bilardo” se është i hapur për krijimin e një fronti të madh qytetar të faktorëve politikë opozitarë që s’kanë futur duart në xhepin e qytetarëve.
Lapaj rrëfeu arsyet përse nuk është më bashkë me themeluesit e tjerë të Nismës Thurje.
Thurja ka qenë bashkëkrijim si një organizatë civile e 4 njerëzve, një nga të cilët kam qenë edhe unë. Endri nuk ka qenë, i është bashkuar në vazhdim. Kam qenë unë, Pano Soko, Besian Pesha dhe Arbër Kadia, 4 njerëzit që e kanë themeluar si koncept. Rrugës kemi bërë aktivitete, reagime civile, protesta.
Kur ne nisëm Thurjen, unë kam pasur qëndrimin publik që kjo është një organizatë që do shërbejë si fidanishte për elementë të rinj që duan t’i vijnë jetës publike, pra si pedanë, një agorë ku njerëzit mund të promovoheshin për të hyrë në jetën publike. S’e kemi pasqyruar që do merrte drejtimin e një partie politike. S’kam dashur të dilja fjalës për atë që isha angazhuar. Personalisht kam mbajtur qëndrimin që të bënim diçka që njerëzve u thuhej që në fillim e vërteta, që po nisim këtë rrugëtim si lëvizje që do kthehet një ditë në parti politike. Çunat i kam shumë miq, i vlerësoj. Nuk është e thënë të jemi me të njëjtat bindje në qasje politike. Por jam i hapur për bashkëpunim me ata që s’i kanë hyrë në hak qytetarëve të këtij vendi, dhe s’i kanë futur dorën në xhep qytetarëve të këtij vendi. Duart i kanë futur ata të cilët sot përfaqësojnë klasën e vjetër politikën. Jam i hapur nesër për të qenë në një front të madh qytetar me këdo të ri, me këdo të vjetër, mjafton të mos ketë futur dorën në xhepin e qytetarëve. Do kemi hapa konkretë për të mundësuar bashkëveprimin e të gjithë faktorëve për të krijuar një front të madh qytetar vlerash”.



