
Një ekip studiuesish në Gjermani kanë kryer me sukses një eksperiment të “mbjelljes” së kujtimeve të rreme, të cilat më pas mund të fshihen lehtësisht. Mund të duket një përparim i habitshëm i shkencës,por është në të njëjtën kohë edhe një risi me implikime potencialisht serioze për sistemin e drejtësisë.
Ekipi i shkencëtarëve në Universitetin e Hagen, Leibniz-Institut für Ëissensmedien, Johannes Gutenberg Universität Mainz dhe Universiteti i Portsmouth zhvilluan disa eksperimente kujtese me vullnetarët gjatë disa seancave.
Qëllimi i eksperimenteve ishte të konfirmohej nëse është e mundur të mbillen kujtime të rreme në mendjen e një subjekti duke përdorur teknika dhe truke të caktuara psikologjike që mbështeten kryesisht në fuqinë e sugjerimit përmes përsëritjes. Studiuesit krijuan histori të trilluara, por të besueshme, nga fëmijëria e 52 pjesëmarrësve dhe i ndërthurën ato me ngjarjet që kishin ndodhur realisht.
Studiuesit më pas i përforcuan këto kujtime të rreme duke u kërkuar prindërve të vullnetarëve të pretendonin se gjërat kishin ndodhur saktësisht ashtu siç u përshkruan, duke përfshirë elementë shtesë të trilluar.
Ky proces u përsërit gjatë seancave të shumta në një shkallë të tillë që te shumica e vullnetarëve që morën pjesë në studim lindi një kujtesë e rreme.
Fshirja e këtyre kujtimeve të rreme rezultoi po aq e lehtë sa “implantimi” i tyre. Një vit më vonë, rreth 74 për qind e vullnetarëve i kishin humbur kujtimet e rreme, madje disa i refuzuan plotësisht që kishin ndodhur ndonjëherë.
Implikimet e këtij eksperimenti mund të jenë të gjera në fushën e drejtësisë penale, me metodat e përdorura nga prokurorët, policia dhe të tjerët të vihen në pikëpyetje kur kërkohet 'e vërteta' mbi një ngjarje që ka ndodhur në të kaluarën.



