Jemin Gjana ka dalë sot në mesditë para mediave për të sqaruar procedurat e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarin e ri të PD-së. Në lidhje me zgjedhjet që zhvillohen të shtunën, më 22 korrik, Gjana tha se janë ngritur 7 grupe numërimi, të cilat do të lexojnë vullnetin e demokratëve në selinë blu. Për transparencë, 73 kutitë e votimit do të transportohen nga degët në qendër të shoqëruara nga kryetari i komisionit dhe dy anëtarë që përfaqësojnë dy rivalët në garë.
“Do të ngrihen 7 grupe numërimi. Me të mbërritur kutitë e fundit, do të nisë procesi i hapur dhe transparent për të 73 kutitë e votimit. Kutitë e votimit do të shoqërohen nga kryetari i komisionit dhe dy anëtarë përfaqësues të dy kandidatëve”, tha ai.



