Deputetja e PD Lindita Metalia deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se situata me përmbytjet në qarkun e Lezhës vazhdon të jetë e rënduar.
Metalia i bëri thirrje qeverisë “që t’i thërrasë mendjes” duke shpallur gjendjen e emergjencës dhe atë të jashtëzakonshme, si e vetmja mënyrë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Ajo vë në dukje se përmbytjet erdhën si pasojë e shkarkimeve, ndërsa shton se nuk është bërë thellimi i lumenjve apo investime në infrastrukturë.
Situata vazhdon të jetë e rënduar. Reshjet kanë pushuar, por vazhdon situata kritike. Kemi 24 banesa të përmbytura dhe afro 1400 ha tokë nën ujë. Situata është kritike sepse edhe në orët në vijim parashikohen reshje të dendura shiu. Është në mënyrë të përsëritur përmbytjet në Lezhë, por ajo që është më shqetësuese është mungesa e investimeve në zona të caktuara. Aktualisht dihet se përmbytja nuk ndodhi për shkak të atyre dy ditëve shi, por për shkarkimeve në mënyrë të fshehtë gjatë natës dhe në mënyrë të paparalajmëruar. Shkarkimet bënë që Shkodra dhe Lezha të përmbyten. Ka mungesë investimesh të theksuara nga ana e qeverisë. Nuk është bërë thellimi dhe pastrimi i lumit Drin dhe Gjadër. Edhe pse hapen kanale kulluese s’është e mjaftueshme. Ka mungesë investimesh në hidrovore. Një projekt i vitit 2011 është ende në sirtarët e Edi Ramës. Fondet shpenzohen në mënyrë të padrejtë dhe abuzive prandaj s’është bërë ky investim. Hidrovori i Balldrenit është domosdoshmëri. Edhe hidrovori në Gocaj s’ka funksionuar. Krahas kësaj ka mungesë investimesh në makineri të rënda, si draga, apo eskavator etj., që janë totalisht të amortizuar dhe s’shërbejnë më për asgjë”.
Metalia bën me dije se shumë familje kanë mbetur pa energji elektrike, si dhe kanë probleme me ujin e pijshëm.
Është e rëndësishme që qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të shpallë gjendjen e emergjencës dhe gjendjen e jashtëzakonshme. Vetëm kështu mund t’u vijnë në ndihmë dhe t’i dëmshpërblejnë këto familje që thuajse kanë humbur çdo gjë. Apeli im për qeverinë është shpall gjendjen e emergjencës, gjendjen e jashtëzakonshme në Lezhë dhe Shkodër. Gjendja është shumë e rëndë. Mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit të pijshëm, ka pasur përzierje të ujërave të bardha me të zeza, janë shqetësime që banorët i kanë në shtëpi. Qeveria t’u vijë në ndihmë me ushqime, veshmbathje, ushqime për bagëtitë.



