Një konflikt mes dy të rinjve në Lezhë, u shoqëruar me të shtëna me armë zjarri dhe plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në afërsi të një lokali në fshatin Gjadër, ndërsa i plagosur mbeti Dorjan Gjini 24-vjeç banues ne fshatin Balldre, raporton korrespondenti i MCN TV.
I riu u qëllua me një plumb pistolete në këmbë dhe u dërgua me urgjencë për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes arriti të identifikojë brenda një kohe të shpejtë autorin e dyshuar të kësaj plagosje. Ai është shtetasi Gabriel Marku banues në Lezhë, i cili arriti të largohet me shpejtësi pas ngjarjes.
Blutë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin të gjithë zonën me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se autori dhe i plagosuri fillimisht janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin e më pas Gabriel Marku ka nxjerrë armën pistolete që mbante me vetë dhe ka qëlluar në drejtim të 24-vjeçarit.
Policia bën me dije se dy të rinjtë janë takuar me njëri-tjetrin pranë lokalit ku ndodhi ngjarja dhe kanë nisur të konfliktohen për motive ende të paqarta.



