Taksa 100% për mallrat serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë. Heqja e mënjehërshme e taksës ishte masa e parë që iu kërkua qeverisë “Kurti” në ditën e parë të zyrtarizimit të saj.
Ndryshimin e mënyrës së taksimit mbi mallrat që hyjnë nga Serbia e bëri të ditur sot kryetarja e Parlamentit, Vjosa Osmani.
“Siç e dini, programi i përbashkët i koalicionit qeverisës është prezantuar nga ana e kryeministrit të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës me datën 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë që ashtu siç kemi thënë para qytetarëve, ne besojmë që tarifa duhet të zëvendësohet me masë të reciprocitetit në raport me Serbinë”, u shpreh Osmani.
Osmani deklaroi se kusht për heqjen e tarifës është ndërprerja e fushatës që Serbia ka ndërmarrë kundër njohjeve të Kosovës.
“Për t’u larguar tarifa ashtu siç e ka thënë edhe ambasadori i SHBA-së në Berlin, i cili në të njëjtën kohë është edhe përfaqësues i presidentit Trump për dialog, ambasadori Grenell, ne pajtohemi plotësisht që për t’u larguar tarifa, Serbia duhet të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës”, tha Osmani.



