Deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës në Serbi, Shuaip Kamberi, foli në MCN Live mbi letrën dërguar Escobar-it, ku kërkon që Presheva të përfshihet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Kamberi tha se kërkohet simetri dhe reciprocitet në trajtimin e komuniteteve nga Serbia. Ai vuri në dukje se serbët e Kosovës kanë të drejta mbi standardin e BE, ndërsa shqiptarët në Serbi nuk kanë as të drejtat elementare që u garanton Kushtetuta.
Dialogu po shkon ndoshta në fazën finale, dhe për këtë arsye kërkesa ime në emër të gjithë popullatës shqiptare, që çështja që është dhe do jetë kontestuese mes Kosovës dhe Serbisë është edhe trajtimi i popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës nga Serbia. Duke kërkuar ndërtimin e simetrisë, unë kam kërkuar nga z. Escobar, në mënyrë që çështjen e Luginës së Preshevës të mos e lënë anash. Serbia po tenton të tentojë të ndërtojë standarde unike dhe speciale për serbët e Kosovës, ndërkohë që shqiptarëve u mohon të drejta fondamentale që u garanton Kushtetuta. Ne kërkojmë të ndërtojmë një simetri në trajtimin e të drejtave të komuniteteve. Kushtetuta e Kosovës garanton një mori të drejtash për serbët që janë mbi standardin e BE, ndërkohë që ne na mohohen edhe të drejtat elementare, që garanton Kushtetuta e Serbisë. Në marrëveshje duhen përfshirë edhe obligimi në respektimin e të drejtave me standarde identike apo unike. Reciprorciteti është një parim që duhet respektuar. Duke kërkuar nga Kosova që të garantojë të drejtat e serbëve atje, Serbia duhet të japë shembullin që në mënyrën më të mirë do të respektojë të drejtat e shqiptarëve këtu”.
Teksa u ndal te plani franko-gjerman, Kamberi tha se mbetet për t’u parë nëse Vuçiç ka ndryshuar vërtet mendim, apo po përpiqet të blejë kohë.
Në deklarimin e fundit të Vuçiçit shihet një ndryshim në qëndrim. Do të shihet nëse është një kthim radikal në qëndrim e tij rreth dialogut me Kosovën, apo është një tentativë për blerje kohe në raport me BE dhe komunitetin ndërkombëtar. Ai paralajmëroi edhe konsultime me grupet parlamentare, ndoshta edhe raportim në Parlament. Pjesa radikale e opozitës, që është e djathtë tërësisht, kundërshton qëndrimin e Vuçiçit, duke u shprehur se është tepër i butë dhe po tradhton Kushtetutën e vendit të tij. Vuçiç në paraqitjet publik di të jetë dramatik, dhe duke e paraqitur situatën si të rrezikshme, paraqitet si shpëtimtar i vetëm”.
Kamberi vuri në dukje disa nga problemet kryesore të shqiptarëve në Serbi.
Në 2013-ën kemi marrëveshjen e tretë që s’po zbatohet. është nënpërfaqësimi i shqiptarëve në organet shtetërore problemi kryesor, mos njohja e diplomave, mos respektimi i gjuhës shqipe në punën e organeve shtetërore, gjendja e vështirë ekonomike dhe pengimi i investitorëve të huaj në luginën e Presheves, pasivizimi i adresave përmes së cilës po synohet të ndryshohet struktura etnike”.
Ndër të tjera Kamberi tha se me gjasë do të takohet me Escobarin në vizitën e tij të radhës.



