Eksperti i ekonomisë Pano Soko foli në “MCN Economy” mbi dështimin e Gjykatës së brendshme të Arbitrazhit, ku 7 muaj pas miratimit s’është ende funksionale. Soko vuri në dukje që 90 për qind e mosmarrëveshjeve në Shqipëri zgjidhen me mirëkuptim mes palëve. Soko thekson që me arbitrazhin e brendshëm do ta kemi të munguar tregun, duke shtuar se e sheh me skepticizëm që kompanitë e huaja të zgjedhin arbitrazhin shqiptar.
Nuk është as i nevojshëm as i domosdoshëm. Kjo pjesë deri më sot, marrëdhëniet ekonomike mes palësh që futen në një biznes në marrëdhënie tregtare, kanë qenë procese të zgjidhura. Le të themi që ka pasur një strukturë. Gjykata e Arbitrazhit është një hallkë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në morinë e hallkave. Mund t’i drejtohen fillimisht një eksperti të pavarur që bën arbitrin. Një hallkë tjetër është që t’i drejtohen gjykatës. Gjykata është aty apriori. Për çdo formë tjetër për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, palët mund të krijojnë instrumente edhe në kontratë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Dy palë mund ta nënshkruajnë në kontratë që është Dhoma e Tregtisë, apo Gjykata e Arbtirazhit, kombëtare apo ndërkombëtare. Nëse nuk janë të përcaktuara këto në kontratë, atëherë është Gjykata e Shkallës së Parë përgjegjëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Në këtë lumë formash, ngritja e një Gjykate Arbitrazhi, që do ketë edhe kosto që do ta shoqërojnë, dhe si është menduar që do dalë kjo gjykatë me përfitim. Sepse në gjithë botën gjykatat janë shoqëri biznesi që me fee-t krijojnë të ardhura. Futja në këtë treg është shumë riskoze. Që një gjykatë arbitrazhi të konsiderohet nga dy palë, duhen shumë ingredientë, se pari që historia e drejtësisë ku është dislokuar gjykata të jetë histori suksesi. Kryesisht janë vendet me drejtësi të fortë që kanë gjykatat më të suksesshme. Nuk besoj se dy palë që lidhin biznes do t’i drejtohen gjykatës së arbitrazhit shqiptar, se kanë dëgjuar histori të mira nga drejtësia shqiptare”.
I pyetur a i rrit garancitë juridike ligji i ri, Soko shprehet:
Jo, absolutisht jo. Në momentin që dy palë të përkatësive të ndryshme shtetërore futen në një marrëdhënie biznesi, në asnjë rast s’mund të përdoret për arbitër një gjykatë, apo një dhomë që është e lidhur me një nga këto dy shtete. Zgjidhet një e ndërmjetme. Kush do jetë tregu i Dhomave tona të Arbitrazhit, mund të jenë dy kompani shqiptare. Ose mund të jenë dy palë të huaja, që janë totalisht të huaja, një palë ruse apo suedeze po them. Dhomat e Arbitrazhit s’kanë të njëjtën valencë peshe juridike si gjykata. Edhe në Shqipëri unë besoj se palët tentojnë t’i drejtohen gjykatës. Këtu 90 për qind e mosmarrëveshjeve zgjidhen me mirëkuptim nga palët. 10 për qind i drejtohen gjykatës, dhe kur i drejtohen i drejtohen Gjykatës së Shkallës së Parë. Prandaj them që do ta kemi të munguar tregun. E shoh me skepticizëm që kompanitë e huaja do zgjedhin arbitrazhin shqiptar. Palët mund ta zgjedhin si arbitrazh më të kontrollueshëm. Qeveria ka në dorë të mos lidhë asnjë kontratë ku dhoma e zgjidhjes së mosmarrëveshjes të mos jetë Parisi, Zyrihu. Le të shohim sa veta do të vijnë. Nuk të vjen askush”.
Soko shtoi se nuk ka transparencë mbi shifrën që do të duhet të paguajë shteti shqiptar lidhur me rastet e humbura në Arbitrazhin ndërkombëtar.



