Partia Demokratike vijon të ngulë këmbë se qeveria po fsheh numrin e të vdekurve nga Covid-19, duke mbuluar në këtë mënyrë dështimin në menaxhimin e situatës. Në një dalje për mediat në mesditë, ish-deputeti Bardh Spahia tha se fshehja e numrit të vdekjeve bie në sy në Qarkun e Shkodrës. Sipas tij, nëse kryqëzon të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në raportimet ditore me ato të Bashkisë Shkodër, vërehet një diferencë e madhe.
"Shkodra është një nga shembujt tipik të fshehjes së të vërtetës nga qeveria. Pasi e la pa teste të mjaftueshme për muaj të tërë, qeveria po i mohon Shkodrës edhe të vdekurit. E bën për të përfituar politikisht duke falsifikuar të vërtetën. Sipas të dhënave që Ministria e Shëndetësisë jep çdo ditë me zë e figurë, në qarkun Shkodër me 5 bashkitë e tij, Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë e Fushë Arrëz kanë humbur jetën 62 persona për shkak të Covid-19.
Pra, kaq është numri i fataliteteve sipas Ministrisë së Shëndetësisë për 5 bashkitë e qarkut Shkodër që nga nisja e pandemisë deri më fund të nëntorit. Realiteti nuk është ky që jep qeveria! E vërteta është krejt ndryshe. Vetëm Bashkia Shkodër ka të regjistruar në zyrat e saj të gjendjes civile 80 persona, që kanë humbur jetën për shkak të Covid-19. Pra, nga nisja e pandemisë deri në fund të muajit nëntor, në Bashkinë Shkodër, pa llogaritur 4 bashkitë e tjera të qarkut, janë regjistruar 80 vdekje Covid nga 62 që raporton qeveria për të gjithë qarkun", tha ai.



