
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, veçon sulmin e vazhdueshëm kibernetik si dominantin e këtij viti në fushëbetejën e organeve ligjzbatuese dhe që ka dominuar ngjarjet e kronikës.
Ai tha nga studio e MCN Live, se kjo çështje ka qenë kryefjala e çdo kronike, e çdo çështje penale, për sa i takon rëndësisë që patën dhe se si një shtet armiqësor ndaj Shqipërisë kreu një sulm kibernetik, i cili kaloi në terrorizëm kibernetik.
Beçi shtoi organet ligjzbatuese duhet të ngrenë kategorinë e luftës në terrenin kibernetik, duke nënvizuar se u cenua liria dhe e drejta themelore e të drejtave të njeriut, pasi pati nxjerrje të të dhënave personale.
Sipas tij, përballë sulmeve të tilla të vazhdueshme, shoqëria shqiptare ka qenë e papërgatitur nga organet ligjzbatuese.
Pjesa tjetër që ka dominuar trafikimi i lëndëve narkotike. Kapja e shumë lëndëve në portin e Durrësit, e disa laboratorëve që janë marrë me përpunimin e kokainës, tregon se Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër sa i takon trafikut të lëndëve narkotike.
Organizata të caktuara kriminale kanë realizuar shumë vrasje dhe akte që kanë prekur drejtpërdrejtë sigurinë e qytetarëve, rendin dhe sigurinë në përgjithësi.
Ka pasur shumë të penduar që kanë ndihmuar organet ligjzbatuese, për zbardhjen e shumë ngjarjeve dhe parandalimin e shumë të tjerëve.
Krimi i organizuar ka qenë herë pas here një hap para organeve ligjzbatuese, kështu që për vitin që vjen, nuk është e mjaftueshme që të kesh vetëm të penduar, duhet të lesh prova të tjera për të realizuar një bllok të fortë.
Perceptimi i publikut sa i takon dhe reformës në drejtësi, se ka konsoliduar disa organe të drejtësisë, ka qenë vit problematik sa i takon besueshmërisë së publikut.
Institucionet vazhdojnë të ruhen nga njeri tjetri dhe duke mos pasur besimin e duhur, rezultatet nuk janë ato që priteshin.
Duhet bërë shumë më tepër në luftën kundër krimit të organizuar, për pastrimin e parave dhe produkteve të veprës penale se Moneyval vazhdon të na mbajë në listën gri. Se duke filluar me pastrimin e parave, kalojmë në krim të organizuar.
Ai shtoi se nëse institucionet funksionojnë, arrijnë që të kontrollojnë dhe njeri tjetrin, duke ngritur si shqetësim se ka mungesë koordinimi mes institucioneve.
Lidhur me kontrollet e policisë dy ditë më parë nga policia në banesën e biznesmenit të denoncuar si të zhdukur Ervis Martinaj, Beçi tha se fakti që një shtetas merr masë arrest në burg, ka procedurë standarde, e cila i transferohet policisë për ekzekutim me urdhër të Prokurorisë.
Kur përcillet urdhri i ekzekutimit, është detyra e Policisë së Shtetit që herë pas here të ushtrojë kontrolle në vendbanimin e mundshëm, vendet që ka frekuentuar dhe ku ka informacione.
Kontrolli i një personi me masë arrest me burg, është proces rutinë. Mënyra e ushtrimit të kontrollit, koha e ushtrimit të kontrollit 4-5 muaj pas, lë vend të dyshohet nëse do gjenden provat që policia dhe prokuroria kanë kërkuar, apo janë gjetur ato që vetë autorët kanë dashur të lënë.
SPAK duhet ta përqendrojë hetimin për këtë rast dhe duke mos lënë prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm të përpëliten.
Prokuroria e Posaçme duhet të marrë në dorë fatin e kësaj çështje. Përqendrimi i dosjes bën të mundur përqendrimin e informacionit dhe hetimeve.
Sa i takon zgjedhjes së Altin Dumanit në krye të SPAK, Beçi tha se ndryshimi i drejtuesit është risi dhe frymë tjetër sa i takon drejtimit të një strukture.
Por ndryshimi kryesor është në dorën e 17 prokurorëve dhe jo të një drejtuesi. Kapacitetet ekzistojnë, në raste se do ketë pavarësi dhe nuk do të ketë ndërhyrje politike.



