Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po trajtohen 15 modelet për Asociacionin që ka ofruar Miroslav Lajçak.
Kurti tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në BE do të merren elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.
Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari evropian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian, janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Unë s’po përmendi të mos i rrezikoj apo harroj një pjesë, por në vendet e BE-së dihet se përveç popullsisë shumicë ka edhe pakica. Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë... Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”, tha ai.



