Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës u kërkon autoriteteve shqiptare pezullimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër. Në një intervistë në studion e MCN TV, aktivisti mjedisor Aleksandër Trajçe tha se peizazhi ku është planifikuar të ndërtohet aeroporti është nja nga zonat që vetë Shqipëria ka propozuar të ruhet.
Është zonë e mbrojtur. Është dedikuar e tillë për të ruajtur peizazhin. Aty ka pasur një aerodrom stërvitor ushtarak. Por ai nuk mund të krahasohet kurrë me një aeroport si ai që është planifikuar të ndërtohet.
Konventa e Bernës është nënshkruar nga Shqipëria prej më shumë se 30 vitesh. Mekanizmi ruan ato zona që kanë biodiversitet më të lartë. Peisazhi i mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga zonat që vetë Shqipëria e ka propozuar të ruhet. Por sot jemi duke shkuar komplet ndesh me zonën emerald. I është bërë thirrje qeverisë të pezullojë ndërtimin e aeroportit.
Trajçe tha se ndërtimi i aeroportit ka filluar pa u bërë fillimisht vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe pa u marrë ende leja.
Ka filluar ndërtimin pa vlerësim ndikimi në mjedis. Nuk mund të nisësh një proces ndërtimi nëse nuk ke vlerësimin. Nuk ka pasur as leje ndërtimi deri para një jave. Çdo ndërtim është bërë në kundërshtim me ligjin.
Sipas Trajçes, ndërtimi i aeroportit të ri dëmton faunën unike të zonës.
E gjithë sipërfaqja do ndikojë të gjithë territorin. Laguna e Nartës njihet për diversitetin e shpendëve. Pelikani kaçurrel gjendet aty. Vetë kryeministri Rama shpesh poston pamje të flamingove që janë të shumta në numër dhe krijojnë mjedis për ekoturizëm. Pikërisht në pjesën ku ka filluar ndërtimi i aeroportit ndodhet edhe një amfib endemik, bretkosa shqiptare. Në emrin latin ka prapashtesën shqipërikus. Nuk kemi qenë kundër një aeroporti, por kundër vendndodhjes së tij. Në atë zonë, aeroporti nuk mund të ndërtohet sepse është zonë e mbrojtur.



