
Japonia ka gati stadiumin e ri kombëtar, ku do të mbahen një pjesë e lojërave olimpike dhe paraolimpike të vitit 2020. Stadiumi përfundoi të shtunën dhe iu dorëzua Këshillit Sportiv të Japonisë.
I dizajnuar nga studio e arekitektit Kengo Kuma, gjigandi i ndërtimit Taisei Corp dhe firma e projektimit Azusa Sekkei Co., stadiumi u përfundua brenda një afati prej 36 muajsh me një kosto prej 157 miliardë jen (1.4 miliardë dollarë).
Me dorëzimin e plotë, stadiumi thjesht do të quhet Stadium Kombëtar. Me pesë kate mbi nivelin e tokës dhe dy nën të, ky stadium është mishërimi shpirtit sportiv të Japonisë. Ai zëvendëson Stadiumin Kombëtar që u përdor si vendi kryesor për Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 1964, i cili nga ana e tij zuri vendin e Stadiumit Meiji Jingu Gaien. Kjo e fundit shërbeu si një pikë nisjeje për studentët që niseshin për në frontet e betejës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me kapacitet 60 000 vende, me ngjyra në pesë tone të ndryshme të tokës, krijojnë një mozaik që përfaqëson rrezet e diellit që filtrohen përmes një pylli.
Ndërtimi i stadiumit është paraprirë nga konsultime me të gjitha grupet. Si rezultat i rreth 20 seancave dëgjimore me organizata të personave me aftësi të kufizuara, lartësitë e ulëseve në tualete u ngritën me një centimetër dhe shenja në alfabetin Braille u vunë në lartësinë e duhur në ashënsorë.
Kati i parë është në nivelin e tokës, duke lehtësuar qasjen e qetë për përdoruesit e karrigeve me rrota dhe ata me probleme lëvizshmërie. 500 pikat e përcaktuara për përdoruesit e karrigeve me rrota janë vendosur në mënyrë që edhe spektatorët që qëndrojnë përpara tyre të mos u pengojnë pamjen.
Është instaluar një numër i madh pikash shpërndarjeje sinjali Wi-Fi, që lejon rreth 30 000 lidhje të njëkohshme për të përballuar kërkesën e lartë gjatë lojërave.
Përfundimi i stadiumit shënon fundin e një projekti që u konceptua për herë të parë në vitin 2011 - dy vjet para se Tokio të zgjidhej si qyteti mikpritës i Lojërave Olimpike 2020 - dhe lindi nga dëshira për të rindërtuar Stadiumin Kombëtar të vjetër, në mënyrë që të mund të mbajë 80 000 vende për Kupën Botërore të Regbisë.



