Ka nisur Asambleja e PS në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Edi Rama po flet i pari.
Që në krye të herës, Rama, u shpreh se fitorja e PS në zgjedhjet e fundit, janë një sprovë e rradhës për një punë të vështirë që i pret para. Rama, e cilësoi fitoren e PS, si fitoren më rë vështirë në historinë e saj politike.
Për Ramën, vetëm fakti se PS-ja është e para që e arrin këtë mandat, e tregon vështirësinë e vërtetë të saj.
Kryeministri Edi Rama tha se do të bëjmë të pamundurën që PS të rikonfirmohet në qeveri në mandatin e katërt.
“Sot ndezim motorët e mandatit të tretë. Ishim dikur një opozitë e dalë nga një palë zgjedhjesh dërrmuese. PD u rikthye në qeveri me vota pasi ishte larguar 8 vjet më parë mes zjarrit të një kryengritjeje popullore si fajtorja e madhe të humbjeve marramendëse të kursimeve të shqiptarëve. Ishte një parti që vuante humbjen nga fryrja e dhjamit të pushtetit, dhe cfilitja e luftës së brendshme. Një forcë politike pa disiplinë dhe pa orientim, e coroditur dhe besimhumbur. U ngritëm me vështirësi për tu rikthyer në krye të vendit si një alternativë e re qeverisëse.
Ajo që na ktheu më në fund pas plot 8 vjetësh në opozitë ishte këmbëngulja e madhe për tia dalë, për tu forcuar dhe përmirësuar në cdo hap të një rruge të përpjetë. Arritëm të ngremë një makinë elektorale, të krijojmë një frymë fituese. Fituam mandatin e parë, u konfirmuam në të dytin dhe si askush më parë në historinë e zgjedhjeve u konfirmuam për të tretën herë me radhë. Por kjo është edhe fitorja jonë më e vështirë. Ndryshe nga sporti ku fitoret meritohen kur arrihen, në politikë meritohen vetëm pasi arrihen. Fitorja e zgjedhjeve janë mundësia për të fituar beteja të vazhdueshme, për tu kthyer zgjedhësve me punë kredinë e lartë të përfaqësimit që ata japin borxh me votën e tyre. E vetkuptueshme herën e katërt do ta kemi më të vështirë, ama nuk e luan topi se detyra jonë ndaj atyre që na besuan dhe Shqipërisë, është të bëjmë pamundurën që pas 4 vjetësh të rikonfirmohemi përsëri”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mandatin e katër të qeverisë duke thënë që PS të rikonfirmohet sërish pas katër vitesh.
“Herën e katërt do e kemi më të vështirë se të tretë. Detyra jonë ndaj të gjithëve që na besuam është të bëjmë të pamundurën për tja dalë të rikonformohemi përsëri pas 4 vjetësh. Miq sot do tu flas shumë hapur dhe do tu them që skam qenë asnjëherë më i trazuar pas një fitoreje politike se këtë herë. Jo se sfidat e mëparshme kanë qenë më të lehtë, por se sa më shumë gara fiton aq më shumë rrezikon të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit.
Duhet të ngulim këmbët në tokë dhe të shtrijmë sytë sa më larg në horizont. Na duhet një forcë e re një pasion i ri politik, një kapërcim i ri i vetvetes për ta ngjitur më lart Shqipërinë. Duhet të ngulmojmë më fort se më parë në punën tonë. 5500 dyert e organizatave tonë në Shqipëri duhet të bëhen 5500 dyer të hapura mundësish për qindra mijëra njerëz për të kultivuar qytetarinë demokratike, mendimin dhe aktivizimin politik. Vullnetarizmin dhe solidaritetin social, për të debatuar tema me interes publik”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, vet kreu i PS ka kritikuar strukturat organizative të Partisë Socialiste duke i krahasuar ato, me strukturat e Partisë Demokratike. Rama tha se për shkak të justifikimeve, në PS nuk janë afruar figura të reja, ndërsa shtoi se në sytë e të rinjve, politika shqiptare duket si një “klub çakenjsh”.
Rama tha se prej 30 vitesh partitë politike duken si në një copë e filmit “Koncert në vitin 36”. Sipas kryeministrit, në vend të parisë në film, është një grup drejtorash dhe shefash që kapardisen nëpër lokale dhe kafene.
“Rezultatet jo në lartësinë e duhur janë justifikuar njësoj, duke thënë jo po nuk është kollaj të mos gjesh njerëz të rinj, jo po të mos prishim ekuilibrat se janë zgjedhjet, jo po na mërziten ata poshtë dhe nuk afrohen për zgjedhje, jo po nuk afrohen njerëzit po nuk u dhe punë shteti, jo po rinia është indiferente, jo po statuti, jo po udhëzimi jo po duam mbështetje nga lart, jo po ç’deshi ai te zona ime, jo po se desha atë të vinte te lagjia ime, jo po ajo pi kafe te lokali i PD, jo po ajo ja ka lënë lokalin LSI. Një parti politike dhe gjykimi i saj nga publiku dhe kthimi në një komunitet vlerash është si të pajtohesh me vetëkyçjen brenda një rrethi vicioz. I gjithë organizmi i partisë ekspozohet ndaj infektimit të gjëndrave malinje sepse krijohen ngaqë shtyhet kura e duhur me justifikimin “nuk është ky momenti, më vonë”. Kjo shtyrje e pafundme e përballjes e një kapitali të çmuar si PS, varfëron demokracinë duke e bërë politikën dhe ne kemi kontributin tonë fatkeq, ngjajmë me një cirk pelivanësh. Në sytë e publikut, të rinjve iu duket si klub çakenjsh. Partia nuk mund të zgjohet kur vijnë zgjedhjet dhe nuk mbahet gjallë si moçal interesash në rrethet e të privilegjuarve dhe e vërteta e hidhur se pavarësisht dallimeve me rivalët tanë, pasqyra e partive tona, në sytë e komuniteteve të Shqipërisë ngjan si një copë e filmit ‘Koncert në vitin 1936’, ku kemi një tufë me drejtora. Nëse duam një parti të rifitojë përsëri besimin e shqiptarëve, shëmbëlltyre e asaj parie kapardisur nëpër rrugë e nëpër kafene, duhet zhdukur nga sytë e popullit. Nëse duam që shqiptarët të na afrohen shumë më shumë dhe nëse duam që Shqipëria e kësaj periudhe të historisë që ne kemi fatin ta shkruajmë pas 2 zgjedhjesh të jetë ngjitur në majë.
Kreu i qeverisë iu është drejtuar të gjithë anëtarëve të PS, që t’iu japin fund punësimeve në shtet, pasi një gjë e tillë nuk është nderin e të ardhmes dhe rolin e partisë në shoqërinë shqiptare.
“Punësimi në shtet i familjeve të anëtarëve. Kjo duhet të konsiderohet e dështuar, nuk sjell asgjë të re PS-së, veçse një pikë tjetër uji vazhdon gërryen gur-themelin e saj. Kush i mban ata lidhur me qëllimet e përbashkëta? Po derën kush ua hap atyre dhe si i dëgjon, sa i dëgjon, ata që kanë fatin t’iu hapet dera, pasi na e kanë dhënë votën?
Dua t’iu bind se ne duhet të alarmohemi sot për të ardhmen dhe për rolin e kësaj partie në shoqërinë shqiptare. Teoria e gjithëpranuar se ndryshe njerëzit nuk të vijnë, nuk të kuptojnë, nuk punojnë për ty, nëse punësimi në shtet nuk është karremi, është teoria jo e atyre që udhëheqin, por e atyre që udhëhiqen dhe merren për hunde nga inercia e një tërësie njerëzish të mbetur pa udhëheqës. Këtu vij përsëri te nevoja që kush kërkon më shumë prej tyre, duhet që në sytë e tyre të jetë njeriu që bën atë që thotë dhe e kundërta. Duhet të alarmohemi nëse nuk duam që të shohim fundin e hegjominizmit e PS. Ndaj ne sot duhet të veprojmë. Ua kemi borxh atyre që vijnë pas nesh. Dhe ja kemi borxh atyre që i dhanë jetë kësaj partie, që e sollën këtë parti në kushtet që ne kemi këtë privilegj të madh e jemi të gjithë bashkë këtu, udhëheqja e saj. Sot ne duhet të mendojmë seriozisht për shëndetin, forcën, suksesin e PS në një afat më të gjatë se katër vjet. Ngritja sa më parë e një Akademie Politike të PS me standardet më të mira ndërkombëtare, nuk është si me magji, sepse nuk ka zgjidhje magjike këtu, por është një imperativ mes nesh dhe gjeneratës së 20-vjecarëve e 20-vjecarëve të tjerë pas tyre. Pa menduar që kjo nuk do ndodhi, nuk do ndodhi. Mund të ndodhi shumë më shpejt se sa parapërfytyrimi dhe pa një qasje të re më demokracinë dhe zgjedhësit në dy fushata. Në kapitalin njerëzor të partisë. Edhe makineria jonë e pathyeshme elektorale rrezikon të mbetet në rrugë, pa benzinë.Në pamundësi për të rendur më tutje, por edhe kjo parti rrezikon të katandiset si motrat e veta, kashtë e koqe. Tani nuk po fusim dhe tonën, do ta merrte për fare në rrugën e djallit, llumi i llumit e lloj lloj sharlatanëve e pelivanëve siç ka ndodhur në vendet e tjera”, u shpreh kryeministri Rama.



