Eurodeputetja greke Eva Kaili po planifikon të rifillojë detyrat e saj javën e ardhshme, pas autorizmit të marrë për të hequr byzylykun elektronik.
Kështu ka bërë me dije avokati i saj.
"Javën e ardhshme, ajo do të jetë në Parlamentin Evropian për të kryer detyrat e saj ", tha avokati grek Mihalis Dimitrakopoulos, për kanalin televiziv grek Skai.
Ajo do t'i kërkojë gjithashtu parlamentit të përcaktojë nëse përgjimi, arrestimi dhe burgimi i saj shkelën të drejtat e saj si eurodeputete.
Drejtësia belge autorizoi të enjten ish-gazetaren 44-vjeçare që të hiqte byzylykun e saj elektronik dhe i ndryshoi masën “arrest në shtëpi”. Një ish-yll në rritje në Parlamentin Evropian, Eva Kaili u hoq nga posti i saj si zëvendëspresidente dhe u përjashtua nga grupi i saj në parlamentin e Socialistëve dhe Demokratëve. E arrestuar në dhjetor në kryeqytetin belg gjatë një vale kontrollesh, Eva Kaili ishte liruar nga burgu në mesin e prillit, por ishte caktuar në banesë me byzylyk elektronik. Eva Kaili i mohon të gjitha akuzat, por është ende në pritje të gjyqit.



