Jo shumë qytetarë e dinë që në Shqipëri ka një ligj për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit. Ligji i miratuar një dekadë e gjysmë më parë vendos vija të kuqe për kompanitë në sektorë të ndryshëm që të mos abuzojnë me pozitat e tyre në treg dhe të ndalojë praktikat e padrejta tregtare.
Një praktikë tregtare është e padrejtë kur është në kundërshtim me kërkesat që një tregtar pritet, në mënyrë të arsyeshme, të zbatojë ndaj konsumatorëve, në përputhje me praktikën e tregtimit të ndershëm dhe/ose me parimin e përgjithshëm të mirëbesimit në fushën respektive të veprimtarisë tregtare; dobëson ndjeshëm aftësinë e konsumatorit për marrjen e një vendimi, si pasojë e informacionit të dhënë, duke shkaktuar kështu marrjen e vendimit, të cilin, në të kundërt, nuk do ta kishte marrë, thuhet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
“Mbrojtja e konsumatorit është e zgjidhur ligjërisht, janë hartuar aktet ligjore dhe nënligjore, por shkalla e zbatimit të tyre në krahasim me ligjet e tjera në Shqipëri mund të jetë në nivelin më të ulët. Pra rregullat janë vetëm në letër”, sqaron Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
“Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është miratuar në vitin 2008 dhe ofon mbrojtje për konsumatorin për produkte që mund të jenë mallra ose shërbime dhe në këtë ligj janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet që kanë palët blerëse dhe shitëse ndaj njëri-tjetrit. Këto parime që vendos ky ligj nuk duhet të shkelen, si në kontratat e shkruara dhe në ato verbale apo në zbatimin e tyre”, thotë avokati Alban Duraj.
Ligji nuk lejon as praktikat tregtare çorientuese të cilat kanë një gjuhë të pakuptueshme dhe të fshehtë për konsumatorin por dhe reklama që japin informacione të rreme.
Një nga fushat ku përdoret gjuha e fshehtë, çorientuese dhe reklama është tregu financiar. Shërbimet e mikrofinancës, shërbimet bankare dhe ato të kompanive të sigurimit.
Kompanitë e sigurimeve përdorin kontrata tip, çka nënkupton se ato nuk duhet të jenë të njëanshme dhe të respektojnë ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Por në realitetet blerja e policave të sigurimeve përmban gjuhë të dykuptimtë dhe përjashton raste të shumta për mbulimin e dëmit që mund të shkaktohet.
“Fushat për të cilat konsumatorët nuk respektohen dhe kanë kontartat më të njëanshme janë ato në sektorin bankar dhe në fushën e sigurimeve, kryesisht në fushën e sigurimit të shëndetit dhe sigurimin e detyrueshëm në fushën e mjeteve motorike”, sqaron avokati Duraj.
Në raste të tjera kompanitë marrin primin mbi çmimin fillestar të automjetit që sigurohet, por kur japin dëmshpërblimin, zbresin amortizimin e tij në vitet e përdorimit.
Avokati Eno Bezati, tregon rastin se si një qytetar u mashtrua nga reklama e një kompanie sigurimi por kur lidhi kontratën, termat ishin të ndryshme.
Siguracioni kasko përfshinte mbulimin nga rastet e fatkeqësisë natyrore përfshirë dhe zjarrin, por në kontratë përjashtohej zjarrvënia e qëllimshme.
Të japin një informacion të paplotë që shtyjnë drejt një zgjedhje financiare që konsumatori nuk do ta merrte në rast se do të njihej me vlerën reale.
Ligji për mbrojtjen e konsumatorit i konsideron praktika tregtare çorientuese ose të padrejta reklamat të cilat synojnë të nxitin marrjen e një shërbimi me kushte të ndryshme dhe që ka si qëllim fitimin e tregtarit.
Avokati Bezati thotë se rasti në fjalë u fitua tërësisht falë këtij ligji që ndalon formulimet e paqarta dhe të dykuptimta në kontratë, por dhe reklamës së kompanisë e cila nuk kishte lidhje me kontratën e nënshkruar më pas me palët.
Kur mori në dorë kontratën, klienti pa se shumë nga ato parashikime që ishin bërë aty nuk ishin në përputhje të plotë me reklamën që kishte parë dhe nuk ia bënë të ditur kur konsumatori shkoi për të marrë produktin.
Por rastet e abuzimeve nuk përfundojnë këtu.
“Tjetër moment ku abuzohet është kur pretendohej se nuk duhet të dëmshpërblehej vlera e plotë e automjetiti, pasi sipas tyre automjeti ishte amortizuar me kalimin e kohës, por në përllogaritjen e primit të sigurimit ata nuk bëjnë zbritjen e vlerës sipas viteve të amortizimit”, thotë Bezati.
“Për sa kohë që kemi në Kushtetutë parashikime që shteti është përgjegjës për të siguruar jo vetëm jetën por dhe pronën, arsimin, aspektin social etj., atëherë mendoj se ka nevojë t’i dedikohet vëmendje më e madh mbrojtjes së konsumatorit”, thotë Zef Preçi.
Të pyetur nga emisioni “Kronos”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tha në një përgjigje me shkrim se ka ngritur një njësi të specializuar për monitoruar materialet promocionale, por nuk dha përgjigje nëse ka patur konstatime të rasteve kur kompanitë marrin pagesa për vlerë të plotë mjeteve motorike dhe paguajnë vlerë duke zbritur amortizimin në rast të dëmshpërblimit.



