GJKKO ka dhënë 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, ku deri më tani janë ekzekutuar nga SPAK vetëm 4. Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori duke folur në MCN Live tha se afera e inceneratorëve është shumë e madhe për të qenë punë drejtorësh. Ai thekson se nëse hetimi do të jetë i paanshëm dhe i hapur, atëherë përgjegjësia do shkojë shumë lart, te Veliaj dhe Rama. Qori kërkon që SPAK t’i kthejë drejtorët e akuzuar në bashkëpunëtorë të drejtësisë. Ai vë në dukje se ka indicie shumë të forta për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Veprimet e SPAK janë të pamjaftueshme, sepse në gjykimin tonë kjo është një aferë shumë e madhe, për të qenë një punë drejtorësh. Drejtorët zakonisht vjedhin ndonjë tender shumë të thjeshtë. Edhe kur vjedhin në tendera të thjesht një pjesë të përqindjeve ua çojnë eprorëve të tyre të lartë. Kjo është një nga vjedhjet më të mëdha të historisë bashkëkohore të Shqipërisë. Në këtë kuptim është e vështirë ta besosh se kjo është thjesht një ortakëri midis një përfaqësuesi të bashkisë të dorës së dytë këtej, dhe një përfaqësuesi të ministrisë nga ana tjetër. Unë shpresoj shumë që ky të jetë një hetim vërtet i plotë, vërtet i paanshëm, vërtet i pandikuar nga askush, përveçse nga ligji. Kam bindjen nëse do jetë një hetim i tillë përgjegjësia do shkojë shumë lart, dhe e kam fjalën për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kryeministrin Rama. Një përmasë e tillë skandali, në çdo vend tjetër të botës, sigurisht edhe në Shqipëri do të implikonte krerët më të lartë të shtetit. Është detyra e SPAK-ut që ta çojë hetimin deri në fund, dhe hetimet të jenë vërtet të hapura, dhe askush të mos jetë i amnistuar. Në Shqipëri fatkeqësisht ka ende njerëz të amnistuar, ka ende njerëz që janë përmbi ligjin. Ka ende njerëz që e konsiderojnë shtetin dhe të mirën publike çiflig personal, ndërkohë që qytetarët për shkeljen më të thjeshtë do duhen të japin llogari para ligjit.
Me sa kuptoj unë ka indicie të forta. Kanë të bëjnë më shumë me faktin që e gjithë kjo gjë është iniciuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2016, kërkesa për një partneritet publik-privat për menaxhimin e mbetjeve. Këto sigurisht janë indicie, asnjë nga ne nuk është prokuror apo gjykatës që të japë një verdikt dhe të thotë: Ti shkon në burg dhe ti rri jashtë burgut! Nga ana tjetër unë mendoj që indiciet janë të mjaftueshme për të hetuar gjithkënd. Po të marrim përvojën më të mirë të hetimeve nëpër botë, ne e dime shumë mirë se si Prokuroria, në një vend si Italia arrin të kthejë një pjesë të të akuzuarve në bashkëpunëtorë të drejtësisë.
Po ta vini re asnjë nga të akuzuarit dhe të dënuarit s’është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë. Çështja shtrohet pse? Këta ose kanë marrë një premtim që do dënohen shumë pak, këta që janë në burg, ose që po hetohen tani, asnjë nga këta nuk kthehet në bashkëpunëtor të drejtësisë! Ose dikush u ka thënë do dënoheni pak dhe do rrini rehat, ose kanë frikë për jetën e tyre, se të bashkëpunosh me drejtësinë dhe të nxjerrësh eprorët e tu, kush e di çfarë të gjen në burg! Në këtë kuptim drejtësia shqiptare ka nevojë ta rrisë besueshmërinë e vet te qytetarët, por në një farë kuptimi edhe te të akuzuarit që do të donin të ktheheshin në bashkëpunëtorë të drejtësisë. Ka metoda hetimore, që janë sigurisht brenda ligjit, brenda Kushtetutës, brenda një rendi demokratik, që ushtrojnë trysninë e duhur ndaj të akuzuarit, për t’i thënë ke dy rrugë: Në rast se do bashkëpunosh dhe do vërtetosh që je hallka e poshtme e këtij zinxhiri, do dënohesh më pak, por do nxjerrësh ata që janë sipër teje. Për sa kohë kjo deri më tani nuk ka ndodhur, atëherë mua më lë të dyshoj se ka diçka nuk shkon në këtë mes. Gjithsesi është dyshim. Unë dua të pres muajit në vijim për të parë nëse SPAK-u apo organet e tjera të drejtësisë, do të kenë guximin për të shkuar deri në zemrën e problemit”.
I pyetur a mendoni se bien këmbanat njëlloj për Ramën e Veliajn, Qori thotë:
“Sigurisht. Indiciet për momentin janë më të forta për kryetarin e bashkisë së Tiranës, sepse ka çuar email-e, ka gjurmë aty brenda. Por nëse do gjykojmë cik më gjerë, përsëri shtrohet pyetja, kush ka fuqinë të koordinojë ministri të tëra, e bashki, ta bëjë buxhetin e shtetit të akordojë qindra miliona euro për një projekt të tillë?! Kush e ka?! Sigurisht z.Rama e ka më të thjeshtë të vendos dikë tjetër për të vendosur në vend të tij.
Prandaj unë them një Prokurori që e bën detyrën e vet siç duhet tentojë t’i bëjë ata drejtorët të rrëfehen. Frika ime është që ata që po hetohen, ose kanë marrë premtim që nuk do dënohen sa duhet për të heshtur, ose dikush i kërcënon për të heshtur. Një bashkëpunëtor i drejtësisë, nga këta drejtorët, unë besoj që do akuzojë lart, do akuzojë Erion Veliajn, do akuzojë Edi Ramën, në varësi të shkallës hierarkike. Kam përshtypjen unë, se nuk është se kam pasur video-regjistruesin dhe kam parë ujdinë midis tyre. Imagjinoni celularët e këtyre personazheve sikur t’i ketë në dorë Prokuroria edhe të hetonin çfarë bisedash bëhen aty. Kam përshtypjen që nga celularët e këtyre personave do dilnin shumë gjëra. Por që kjo të ndodhë duhet që drejtësia të hedhë 2 apo 3 hapa më shumë përpara. Por nuk jam i sigurt nëse do ta bëjë këtë gjë, sepse nuk jam i sigurt deri në ç’pikë shkon autonomia apo pavarësia e SPAK-ut dhe organeve të tjera të drejtësisë”.
Qori paralajmëroi protesta masive qytetare kundër asaj që ai e konsideron si klasë politike të korruptuar.
Ka nevojë për protesta. Unë përgëzoj gjithkënd që ka marrë iniciativën për të protestuar sot para SPAK-ut. Mirëpo nga ana tjetër unë mendoj se na duhet një protestë e madhe, e fuqishme, dhe jo thjesht përpara SPAK-ut, për t’u thënë ‘bëni detyrën!’, por përpara Kryeministrisë, përpara Parlamentit, përpara organeve të mëdha të pushtetit. Na duhet dicka pak a shumë, si ajo e armëve kimike, apo si protesta studentore, një protestë e madhe anti-korrupsion, që kërkon që të gjithë të vendosen para përgjegjësisë. Ky është një moment i rëndësishëm edhe politik, jo vetëm nga pikëpamja gjyqësore, është momenti kur qytetarët shqiptarë duhet t’i japin dërmën elitës së vjetër politike që është fund e krye e korruptuar, që është fund e krye e kompromentuar, sa me oligarkët aq edhe me krimin e organizuar. Derisa të ndodhë duket e pamundur. Kur gjërat e mëdha ndodhin, nuk është se paralajmërohen. Janë shpërthime deri diku spontante të qytetarëve, të mllefit të qytetarëve, të faktit që qytetarët nuk durojnë dot më. Gjendja ekonomike-sociale është në degradim e sipër. Këtë degradim e bën akoma më indinjues fakti që ne po vidhemi në mënyrë kaq të hapur, dhe në mënyrë kaq masive. Varfëria jonë, pabarazitë e theksuara, emigrimi masiv, lidhen me shkaqe që janë para syve tanë. Me këta inceneratorët që nuk janë as inceneratorë, me faktin që deri vonë buxheti i shtetit paguante në mënyrë skandaloze firma private që s'kishin hedhur një tullë. Unë vet kam qenë te i ashtuquajturi inceneratori i Sharrës gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në bashkinë e Tiranës, dhe kemi parë që atje nuk bëhej asgjë, aty është praktikisht një mal me plehra dhe asgjë më tepër. Aty kanë mbjellë ca pemë, kalojnë ca maune me plehra që derdhen, asgjë tjetër!
Përgjegjësit ligjor duhet të dalin gjithandej, por këtu ka vend edhe për përgjegjësi politike. Një parti që qeveris vendin dhe i plas një skandal i tillë, nuk mund të thotë që unë nuk di gjë! Minimalisht në një vend serioz do të duhej që të ridilte para qytetarëve dhe të kërkonte besimin. Edhe sot kur z.Rama nuk është i akuzuar nga drejtësia, z. Rama duhet të kishte përgjegjësinë dhe të thoshte, Ok këtu plasi një bombë e madhe, të gjithë bashkëpunëtorit e mi po dalin hajdutë, unë minimalisht do duhet të kërkoj votëbesimin e shqiptarëve. Sepse s'mund të jem unë i ndershmi, i paprekuri!
Sali Berisha është në hall, se të thotë 'bravo drejtësia që po arreston këta', i bie pastaj bravo drejtësia që po heton edhe Sali Berishën për allishverishet e vjetra, kështu që nuk ka çfarë të thotë! Nga ana tjetër dua t'u kujtoj diçka, një ditë para protestës së armëve kimike, një ditë para protestës studentore askush nuk besonte se diçka e madhe do të ndodhte. Gjërat e mëdha ndodhin papritur, janë shpërthime të pakoordinuara dhe të parokestruara të mllefit shoqëror. Unë mendoj se jemi afër një shpërthimi të tillë. Sigurisht nuk mund të vijë një parti aty dhe të organizojë gjithçka. Bëhet një thirrje për një protestë, mendohet se do dalin 200 veta, kur ja dalin 20 mijë vetë. Këtë dua të them. Kemi nevojë për protesta të tilla, ne si Lëvizja Bashkë do bëjmë tonën edhe në protesta, edhe në aksione të rezistencës qytetare. Ne kur bëjmë protestë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në protestë, por nuk pranojmë politikanë të korruptuar mes nesh, sepse do njollosin protestën, dhe do t'u tregojmë qytetarëve që s'e kemi hallin te hajdutëria, e kemi hallin që po vjedh ai dhe s'po vjedhim ne! Ndërkohë që problemi është te hajdutëria. Ti duhet ta bindësh shoqërinë që ka një alternativë përtej hajdutërisë, këtë përpiqet të bëjë Lëvizja Bashkë. Unë besoj se do kemi gjithnjë e më sukses, sepse legjitimiteti i sistemit të vjetvr partiak po bie dita-ditës. Gjithnjë e më pak qytetarë besojnë te partitë e vjetra, pavarësisht si kanë votuar deri më sot. Do thërrasim protesta shumë shpejt. Unë besoj se atmosfera po krijohet, s’di të them nëse do jetë në dhjetor, apo janar. Ne do tentojmë herë pas here, ndonjëherë do t’ia qëllojmë me masivitetin, ndonjëherë jo”.



