Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar serish për dhunën në protestat e zhvilluara në Tiranë dhe sot për ato në Shkodër dhe përkitazi me qëndrimin e Presidentit dhe opozitës.
Rama reagoi ashpër duke thënë se Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk e kthejnë dot Shqipërinë pas, “në përsheshin e tyre”.
"Kur policia reagoi ndaj një provokatori famoz gjatë ushtrimit të dhunës opozitare tek Kuvendi, Ilir Meta vrapoi në spital për të vizituar heroin e dhunës! Kur policit të shtetit, i nxjerrin syrin dhunuesit me kapuçë të nxitur prej tij e Saliut, Ilir Meta dënon dhunën policore!
Sipas Ilir Metës policia nuk duhet të reagojë, po duhet të dorëzojë Tiranën dhe veten në duart e dhunuesve të verbër, që ai bashkë me Saliun të bëjnë Lulin dhëndër të pushtetit dhe Monikën arkëtare të shtetit, si në kohët e arta të bashkëqeverisjes me plumba mbi protestuesit!
Por Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre dhe sado ëndrra të shohë Luli duke mbajtur lugën në dorë që t'i vijë gjella e Monikës, Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara, me mund e durim, për t'u bërë ajo që duan fëmijët e saj!", shkruan Kryeministri në Twitter.



