
Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm më 7 dhjetor dhe zgjedhja e një drejtuesit të ri, kanë provokuar një situatë ngërçi mes dy grupeve kryesore politike. Në kohën kur duhej të dilte emri - kandidat për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, palët janë bllokuar akoma në pikën A, pra në atë se kush duhet ta zgjedhë kreun e ri të organit të akuzës. Bllokimi i krijuar merr shkas nga interpretimi i ndryshëm i procedurave kushtetuese për zgjedhjen e Prokurorit të ri.
Konkretisht kandidati për Prokuror të Përgjithshëm duhet të përmbushë kushtet e parashikuara nga neni 148/a i Kushtetutës që ndër të tjera thotë:
1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.
2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedure transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.
4. Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë I Prokurorisë shpallet i emëruar
Siç mund të kuptohet, zgjedhja kushtetuese e Prokurorit të ri kërkon paraprakisht konstituimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këshill I cili, po sipas Kushtetutës në fuqi, sanksionon edhe mbarimin e mandatit të Prokurorit aktual. Siç përcaktohet në nenin 148/c, pika 2:
Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Pse atëherë është krijuar kjo situatë?
Arsyeja kryesore është se KLP nuk funksionon ende. Në tagrin e këshillit janë normuar edhe procedura strikte si p.sh ajo sipas të cilës “të paktën 3 muaj përpara mbarimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, KLP shpall thirrjen për aplikim për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm”.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi KLP nuk po funksionon pasi mungon një kandidat, ai i shoqërisë civile. Ai duhet të ishte krijuar 8 muaj nga hyrja në fuqi e Kushtetutës, por kjo nuk ka ndodhur. KLP ka 11 anëtarë, 6 nga radha e prokurorëve dhe 5 nga shoqëria civile, Avokatura e Shtetit dhe akademikët. Për shoqërinë civile janë shpallur 5 herë vakancat, por ka patur shumë pak kandidatura dhe nuk janë plotësuar kriteret.
Në rastin konkret në mungesë të ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, strukturës përgjegjëse të zgjedhjes së Kryeprokurorit, mazhoranca socialiste interpreton se vendin e Llallës duhet ta zërë një Kryeprokuror i përkohshëm. Arsyeja është ajo që sot u përforcua nga ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Lu:
“Adriatik Llallës i ka mbaruar mandati”.
Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi mandati në kuptim të Kushtetutës nuk është vetëm kohëzgjatja e qëndrimit ligjor në detyrë, por edhe formalizmi institucional i përfundimit të saj, që siç thamë më sipër duhet të shpallet nga KLP. Opozita i përmbahet idesë se duhet ndjekur procedura, edhe pse ajo ka përgjegjësi për ngërçin e krijuar(shih për këtë TemaTv –http://www.tematv.al/2017/12/07/k-shilli-i-lart-e-prokuroris-vonohet-nga-shoq-ria-civile-video). Mazhoranca, e cila ndodhet përballë një presioni në rritje dhe një neovje për ta zgjidhur këtë situatë kërkon pakt kombëtar. Thirrja për pakt në të vërtetë e zbeh nismën për prokuror të përkohshëm, ose e jusitifikon atë duke patur parasysh një 'Jo' të PD-së.
Duket se rasti në fjalë përbën një moment ku legjitimiteti po vihet në provë dhe bashkë me të del zbuluar edhe cilësia e dispozitave që u propozuan nga ekspertë të OPDAT dhe Euralius, për një reformë që u pastrua disa herë. Për momentin, thelbi është rrugëdalja nga kjo situatë. Është thuajse e pamundur që Prokurori i ri të zgjidhet nga njëra palë dhe për këtë Kushtetuta e re bllokon çdo manovër.
Në nenin 178, pika 13 thuhet:
Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit
Këtu është Kuvendi i Shqipërisë që ka dështuar dhe interpretimet mbi cilësinë e votës që duhet për zgjedhjen e Prokurorit dhe subjektin propozues krijojnë shumë dilema. Ai mbetet Këshilli i Lartë i Prokurorisë edhe në kuptim të këtij afati.
Më tej akoma, Kushtetuta vulos fare qartë në nenin182 të Dispozitave Kalimtare:
Ligji nr. 7491, date 29.4.1991 "Per dispozitat kryesore kushtetuese" si dhe ligjet e tjera kushtetuese shfuqizohen ditën e hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute
Që do të thotë sipas këtij kuptimi se referimi i dispozitave të vjetra për zgjedhjen e Prokurorit është antikushtetues. Ekspertët e OPDAT dhe Euralius sugjerojnë referimin e ligjit organik për Prokurorinë, në kushtet kur Kushtetuta e re përcakton hollësisht edhe procedurat e zgjedhjes. Pra kur zgjidhja përmes ligjit krijon shumë hapësirë interpretimi.



