Ish-Kryeministri Sali Berisha ka refuzuar që të paraqitet ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, për t’iu përgjigjur vendimit për "detyrim paraqitje".
Ai ka dërguar avokatin Genc Gjokutaj, ndërkohë që është paraqitur edhe avokatja e Jamarbër Malltezit, Antoneta Sevdari.
Ndërkohë në Apelin e GJKKO zhvillohet seanca për revokimin e masës së sigurisë dhe heqjen e sekuestros së pronave të Malltezit, po ashtu dhe masa "detyrim paraqitje" e Sali Berishës.
Berisha nuk do të paraqitet për herë të tretë, ndërkohë që seanca në Apel është e ligjshme dhe e mundur që të jenë avokatët pa praninë e tij, për shkak të prokurës që ka dhënë.
Mirëpo pranë oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Berisha duhet të jetë personalisht, pasi është njoftuar personalisht.
Ndërkohë javën e shkuar SPAK dërgoi një fletë thirrje në Parlament, në mënyrë që zoti Berisha të paraqitet në zbatim të vendimit të gjykatës, edhe për aferën e klubit sportiv “Partizani”.



