Qeveria amerikane e ka njohur kandidatin e opozitës venezueliane Edmundo Gonzalez si presidentin e zgjedhur të vendit të Amerikës së Jugut, disa muaj pasi presidenti Nicolas Maduro pretendoi se kishte fituar zgjedhjet e korrikut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një postim në X ka bërë gjithashtu thirrje për “respektim të vullnetit” të votuesve venezuelas.
Administrata e Joe Biden kishte deklaruar më parë se Gonzalez fitoi më shumë vota në zgjedhjet e diskutueshme të 28 korrikut, por nuk e njohu atë si president të zgjedhur.
“Populli venezuelian foli me bujë më 28 korrik dhe e bëri Gonzalez presidentin e zgjedhur”, shkroi Blinken.
Gonzalez iku në mërgim në Spanjë në fillim të këtij muaji, duke u thënë më vonë gazetarëve se ai ishte detyruar të nënshkruante një letër që njihte Maduron si fituesin e zgjedhjeve të diskutueshme, si kusht për ta lënë që të largohej nga Venezuela.
Këshilli kombëtar zgjedhor i Venezuelës, i cili është i mbushur me besnik të Maduros, e kishte shpallur Maduron fitues të zgjedhjeve disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme presidenciale, autoritetet zgjedhore nuk dhanë numërim të detajuar të votave.
Por koalicioni opozitar mblodhi fletët e numërimit nga 80% e makinerive elektronike të votimit në vend dhe i postoi ato në internet.
Gonzalez dhe liderja e opozitës Maria Corina Machado thanë se të dhënat e votimeve treguan se ish-diplomati i fitoi zgjedhjet me dy herë më shumë vota se Maduro.



